Mazhoranca qeverisëse ka nisur sulmet ndaj programit ekonomik të Partisë Demokratike. Ditën e enjte selia blu tregoi prioritetet që do të ketë në qoftë se do të vendoset në krye të qeverisë. Ndërsa për qeverinë, planet e Lulzim Bashës shihen si të rrezikshme. Ka
qenë ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj ku përmes rrjetit të tij social Facebook ka bërë një analizë për programin ekonomik të PD-së. Ahmetaj ka renditur 5 pika në të cilat jep argumentet se përse sipas tij ky është një pseudo-program. Në lidhje me taksën e sheshtë 9%, ministri u shpreh se është varfëruese dhe lehtëson vetëm një kategori njerëzisht jo të gjithë qytetarët. “Një qytetar me pagë deri 35-40 mijë lekë/muaj, paguan tatim 2.6% – me taksën progresive dhe 9% – me taksën e sheshtë.
I rritet tatimi 280 USD më shumë në vit. Po kë lehtëson taksa e sheshtë 9%? Një qytetar me pagë të lartë 200-300 mijë lekë në muaj, paguan 13.6% tatim – me taksën progresive dhe 9% tatim – me taksën e sheshtë. I ulet tatimi me 1850 USD/vit. E dini sa i kursen taksa e sheshtë 9% një bankieri, drejtuesi koorporate, apo punonjësi me pagë 300-400 mijë lekë/muaj? 11.600 USD në vit.
Me taksën varfëruese të sheshtë 9%, maja e piramidës së pagave, përfiton në total ulje taksash 150 milionë lekë/muaj”, deklaroi Ahmetaj.
Favorizimi i biznesit të madh
Ministri u shpreh se ulja e tatimeve nga 15% në 9%, do të sjellë përfitimin e gati 10 mijë bizneseve të mëdha nga bizneset e vogla. Sipas Ahmetajt me anë të taksës së sheshtë, biznesit të madh do t’i kursehen miliarda lekë ndërsa miliona dollarë do të vendosen në kurriz të biznesit të vogël. “Do të ulin tatimin mbi të ardhurat e kompanive nga 15% në 9% – pra, 10 mijë biznese të mëdha të përfitojnë në kurriz të 100 mijë bizneseve të vegjël! Me taksën e sheshtë 9%, i kursejnë 10 mijë kompanive të mëdha rreth 14.5 miliardë lekë.
Me taksën e drejtë progresive, në 8 vitet e fundit, taksat e biznesit të madh janë rritur 460% krahasuar me 2013. Vendosin tatimin 0,5% të xhiros për bizneset e vogla – 20 milionë dollarë në kurriz të biznesit të vogël, 100 mijë biznese që sot paguajnë 0 taksa”, analizoi më tej Ahmetaj.
Për premtimin e uljes së kontributit të sigurimeve shoqërore nga 24,5% në 18% ministri tha se është një gënjeshtër e madhe dhe nëse kjo do të realizohej pensionistët do të ngeleshin pa pension. “Ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore nga 24,5% në 18% – Të ardhurat vjetore nga kontributet e sigurimeve shoqërore do të uleshin në 64 miliardë lekë, ose 23 miliardë lekë më pak nga sa arkëtohen sot. Kjo është skema “t’i lemë shqiptarët pa pensione””, ironizoi ministri.
Tabaku i përgjigjet Ahmetajt
Ish-deputetja, Jorida Tabaku ka reaguar në lidhje me mendimin e ministrit të Rindërtimit, Arben Ahmetaj mbi programin ekonomik të PD-së. Ajo përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook, tha se Shqipëria do të fitojë me taksën e sheshtë pasi shqiptarët do të taksohen në një mënyrë të ndershme dhe të barabartë si dhe do të punësohen 110 mijë persona.
Sipas Tabakut, Shqipëria fiton kur shqiptarët taksohen në mënyrë të barabartë, fiton kur shtresa e mesme që sot diskriminohet do të mund të sigurojë më shumë të ardhura përmes taksës së sheshtë. “Shqipëria fiton me taksën e sheshtë sepse investimet e huaja direkte do të rriten, Shqipëria sot nuk ka më investime të huaja. Por ajo do të fitojë nga rritja e tyre përmes taksës së sheshtë 9%, taksa e sheshtë do të rrisë formalitetin, do të eliminojë favorizimet dhe do të nxisë ekonominë”, shkruajti ajo.