Inspektor i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ishte i ftuar këtë të premtë në emsionin ‘Java në RTSH’ ku bëri bilancin e një viti në krye të institucionit në fjalë.
Metani u shpreh se krahas ankesave të grumbulluara gjatë një viti funksionim të ILD, një nuëmr shumë i madh denoncimesh nga qytetarët janë trashëguar edhe nga vitet e kaluara.
Ai tregoi në panelin me analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli edhe metodologjinë e seleksionimit të ankesave, apo se si qytetarët mund ta aksesojnë ILD.
“ILD vihet në lëvizje në disa mënyra, nga qytetarët apo institucionet. Ne u kemi krijuar qytetarëve çdo hapësirë të mundshme për të denoncuar dyshimet e veta. Si përmes kontaktit fizik në zyrë, ashtu edhe përmes postës apo sistemit online. Ne jemi të gatshëm në çdo moment për të verifikuar shqetësimet që ata kanë. Nga shkurti i vitit 2020 i gjithë grupi i ankesave qytetare ishte i patrajtuar nga organet e mëprashme pasi pritej krijmi i ILD. Pra nga shkurti unë kam trashëguar një numër të madh ankesash nga vitet e shkuara. Aktualisht kemi krijuar një metodologji për rishikimin e tyre. Numri i ankesave është shumë i madh dhe vijon të rritet” – tha Metani.
Për “Java në RTSH” Inspektori i Lartë i Drejtësisë komentoi edhe propozimin e tij për ndryshimin e kritereve për stafin.
“Unë kam kërkuar që eksperienca nga 13 vjet të bëhet në 7 vjet me qëllim që të rrisësh numrin e njerëzve ku mund të përzgjedhësh. Unë mendoj se gjyqtarët duhet të jenë pjesë shumë e rëndësishme e zyrës së ILD. Sepse ka nevojë të vijnë edhe njerëz nga sistemi që të ruhet barazia e vendimit. Me këto ndryshime ligjore pra unë dua që zyra e ILD të ketë gjyqtarë në përbërjen e saj” – tha Metani.
I pyetur nëse ILD ndjen presion nga politika apo elementë të tjera, ai shtoi se është i vendosur për t’iu përgjigjur rasteve të tilla sipas ligjit.
“Ligji parashikon që çdo ndërhyrje në punën e ILD konsiderohet shkelje dhe mbahet përgjegjësi sipas ligjit në fjalë. Por kur të kem raste të ndërhyrjeve do ta bëj publike dhe do të marr masat e mia” – tha ai.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë komentoi edhe deklaratat e ambasadores amerikane Yuri Kim në mbështetje të plotë të reformës.
“Reforma në Drejtësi është një nga gjërat më të rëndësishme që kanë ndodhur në këtë vend 30 vitet e fundit. Duke pasur parasysh se SHBA dhe BE janë partnerët më strategjikë të Shqipërisë dhe që u investuan, do të thotë se dhe për shoqërinë reforma ka rëndësi të padiskutueshme. Reforma u krijua me ndihmën shumë të madhe të tyre në çdo pikëpamje, veçanërisht profesionale. Nuk u bë një reformë në një ditë apo në një muaj, por u ngrit një trupë e tërë profesionishtësh që analizuan situatën. Këta profesionistë vendas dhe të huaj sollën këtë produkt” – tha Metani për ‘Java në RTSH’.
Sa i përket rezultateve të punës së tij këtë 1-vjeçar, ai u shpreh:
“Unë jam krenar për çfarë është arritur deri më sot. Sepse institucioni krahas së gjithave ka punuar për strategjinë dy vjeçare. Një strategji në bashkëpunim me partnerët që asistojnë drejtësinë dhe shoqërinë civile. Sigurisht ka pasur mangësi në burimet njerëzore, por ajo që përbën interes për publikun është zbatimi i detyrës që kemi dhe plotësimi i besimit që na kanë dhënë. Suksesi i një instirtucioni të drejtësisë duhet suksesi i të gjithë organeve të drejtësisë. Unë dua që kur të më mbarojë mandati të iki me mendimin që vura tullën time në murin e madh të zhvillimit të vendit.” – tha Artur Metani në studion e ‘Java në RTSH’.