Kryeministri Edi Rama ka komentuar dje me ironi prezantimin e programit ekonomik të Partisë Demokratike, ndërsa ka thumbuar edhe kryedemokratin Lulzim Basha.
Përmes një postim në “Twitter”, kryeministri Rama shkruan se programi i demokratëve ngjason me premtimin për ndërtimin e një tramvaji në Tiranë në vitin 2011, premtim ky i bërë nga Lulzim Basha kur garonte për kryetar bashkie, por që nuk u realizua.
“Programi i PD në 2021 si tramvaji i Tiranës në 2011. Gjumë të ëmbël”, shkruan Rama. Por nuk ka vonuar edhe reagimi nga selia blu, ku përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas komentit ironik që ky i fundit i bëri programit ekonomik të PD.
Në një postim në rrjetet kryeministri Edi Rama ka vijuar sërish ditën e djeshme ironinë me kryedemokratin Lulzim Basha sa i takon programit ekonomik. Shefi i qeverisë ka publikuar në rrjetet sociale disa deklarata kontradiktore të shtrira në kohë të liderit të opozitës.
“Kush ta hajë ta hajë, lëre se ç’thotë tabela e shumëzimit”, ironizoi kryeministri Edi Rama teksa shpërndan edhe një video të deklaratave të Bashës.