Në kufijtë e absurdit të mendosh se ish-Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave dhe Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deri më sot nuk ka një shtëpi të sajën, qoftë duke blerë një kasolle me kredi bankare për të futur kokën.
Në fakt, nuk është fare habi të mos t’ia dalësh deri në fund të muajit me rrogën e shtetit, sa do e mirë të jetë ajo, sepse kjo u ndodh thuajse 99% të administratës shtetërore, që kanë me dhjetra vite që punojnë e mezi bëjnë një palë pushime në vit e jo më të mendojnë të blejnë shtëpia politikanësh, të vishen si ata/ato, të shkollojnë fëmijët jashtë, të kenë makinat e tyre, apo biznesi i “familjarëve dhe miqve” të lulëzoj sa hap e mbyll sytë, a thua pas Elon Musk të “Tesla”, këta na qenkan gjenitë e radhës në strategjitë e biznesit.
Një çift punonjësish administrate, edhe ata me rroga më të mira, nuk arrijnë dot të blejë kesh një shtëpi me kursime, kurrë… të paktën për 15 vite. Për të blerë shtëpi, as që mund ta mendohet fare pa sakrifica të mëdha, duke nisur nga kreditë që i ngelen në kurriz për 25-30 vjet, e deri tek braktisja e gjithçkaje për të emigruar jashtë vendit, në mënyrë që të kursejnë për një “kasolle” ku të fusin kokën.
Por rasti i znj. Spiropali, është për tu marrë shembull dhe i shkon shprehjes së popullit, “edhe dhi e zgjebosur, edhe bishtin përpjetë”. Sepse t’i nuk duhet të bëhesh kurrë si ajo! Të mësosh djalin dhe vajzën që ajo është shembulli më i keq për tu ndjekur, e se nëse vetëm provon ta imitoshatë në shpërdorimin e parasë, do ngelesh përjetësisht i pastrehë.
Pse Spiropali është “dhi e zgjebosur”, sepse sipas deklaratës së saj të fundit të pasurisë rezulton se ish-drejtoresha Doganave e Rama 1 dhe Ministrja e Rama 2, nuk ka asnjë pasuri dhe paraqitet si varfanjake. Por në daljet publike dhe në media është etiketuar si zonjë që e mban shumë veten, me makina, veshje, çanta dhe ora milionëshe, e këtu hyn shprehja “bishtin përpjetë”, që vetëm duke kursyer blerje të tilla, sot do ishte pronarja e të paktën një apartamenti të bollshëm.
E për dreq nuk ta nxë goja të thuash se është “qeflije”, se e ka mbajtur gjithmonë veten, sepse përpara se të bëhej drejtoreshë, dukej si mos më keq, vishej si për gjynah, aq sa të vinte të luteshe për të: Mbaje dorën o Zot tek ky njeri!
Ndoshta kështu po i lufton Spiropali komplekset e saj të të kaluarës, duke blerë ora 3 mijë euro dhe çanta e këpucë nga 2 mijë euro… sepse ajo nuk mund të justifikoj asnjë shtëpi, asnjë garazhd, asnjë makinë, asnjë veshje, asnjë pushim luksi, asnjë orë, asnjë çantë, asnjë aksesorë… sepse në jetën e saj ka vetëm 2 eksperienca pune: 1/ 2 vjet Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganës (ku gjatë kohës së ushtrimit të detyrës, arkës së shtetit i mungonin 130 milion dollarë) dhe 2/ Ministre pa portofol (Shih jetëshkrimin në fund të artikullit).
Pra, Spiropali nuk është e varfër, ajo ka CV të varfër për të blerë shtëpi edhe makina të shtrenjta. Por në dukje bënë jetë përrallore. Tani dikush duhet të na sqarojë situatën e saj, që ne mos ta mëshirojmë, sepse edhe sot, s’kemi ende një përgjigje sesi e ka blerë familja e Spiropalit apartamentin lukzos buzë Lungomares në Vlorë.
Por ndryshe pretendon BIRN për skedën e pasurisë së Elisa Spiropalit. Sipas medias investigative, Spiropali rezulton e pastrehë, por në banesë ruan 20 mijë euro dhe 500 mijë lekë (të reja), në kundërshtim me ligjin:
“Skeda grafike e mëposhtme paraqet pasurinë e deklaruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali nga viti 2013 deri në fund të vitit 2018.
Në deklaratën e parë të dorëzuar në ILDKPKI në vitin 2013, Elisa Spiropali deklaronte pasuri me vlerë 2.3 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e deklaruar kap vlerën e 5.8 milionë lekëve.
Pjesa kryesore e pasurisë përbëhet nga kursimet në cash në vlerën e 3.4 milionë lekëve, të ndjekura nga likujditetet bankare prej 1.5 milionë lekësh dhe automjete me vlerë 800 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 9.7 milionë lekë, nga të cilat 67% burojnë nga paga e Znj. Spiropali dhe 23% nga paga e bashkëshortit. Një zë i rëndësishëm në burimin e të ardhurave është edhe një kontratë shitjeje e një automjeti nga bashkëshorti, që zë gati 10% të të ardhurave totale.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. BIRN kreu kontrollin aritmetik/logjik për 5 vite të deklarimit, të cilat rezultuan pa probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” qëllimin e paqartë të një kredie bankare si dhe vlerën e lartë të kursimeve të mbajtura në gjendje cash në shtëpi.
Kredia bankare deklarohet në vitin 2017 nga Spiropali dhe bashkëshorti i saj, pa sqaruar qëllimin apo përdorimin e kësaj kredie.
Sa i përket kursimeve në cash, Spiropali dhe bashkëshorti i saj zotërojnë në fund të vitit 2018 shumat 22 mijë euro dhe 500 mijë lekë, duke tejkaluar kufirin ligjor të parave që mund të mbahen jashtë sistemit bankar prej 1.5 milionë lekësh.
Vlen gjithashtu për t’u theksuar se Znj. Spiropali dhe bashkëshorti i saj nuk deklarojnë asnjë shtëpi në pronësi apo në përdorim.”, shkruan BIRN.
CV e Elisa Spiropali, burimi nga Parlamenti https://www.parlament.al/Files/cvAnetar/elisaspiropali_file_cv.pdf
Jetëshkrimi Të dhëna vetjake
Emri: ELISA
Atësia: ALEKSANDER
Mbiemri: SPIROPALI
Datëlindja: 15.03.1983
Vendlindja: TIRANË
Arsimi: 1999‐2001; Gjimnazin e kryen në 2001 në “Lester B. Pearson College, UWC of the Pacific, në Kanada, diplomë IB, pasi fiton bursën si një nga pesë gjimnazistet më të mira në Shqipëri. 2001‐2005; Bursë Universitare merite në “Mount Holyoke College”, SHBA, ku diplomohet në 2005 me dy tituj nderi në dy degë universitare; BA ekonomi (Economics) dhe BA Politikë (Politic). Një semestër e kryen në Buenos Aires, në programet e shkëmbimet me bursë ekselence nga Universiteti “Mount Holyoke” për studimin e krizës ekonomike Argjentinase. Në vitin 2007 fiton bursën “Chevening/OSI” për studime parauniversitare në Politikë Ekonomike Europiane në Universitetin “ Sussex” në Britaninë e Madhe.
Eksperienca në Punë: Nga Tetori 2013‐ Mars 2015 ka mbajtur postin e “Drejtore e Përgjithshme e Doganave”. Prej vitit 2019 Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
Kualifikime: Aktualisht është kandidate për Doktore Shkencash në Universitetin e Tiranë, Fakulteti i Historisë, Dega Marrëdhënie Ndërkombëtare (2017).
Aktivitete shoqërore dhe politike: Anëtare e Partisë Socialiste që nga viti 2009. Kandidate për deputete në listën shumemërore Tiranë në 2009. Anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS, Kryetare FRESSH. Këshilltare në Bashkinë e Tiranës dhe së fundmi Sekretare për Rininë në Kryesinë e Partisë Socialiste.