Zhdukja e mistershme e biznesmenit Davide Pecorelli dhe gjetja e tij i vdekur në Shqipëri ka pushtuar mediat italiane. Së fundmi ato kanë kritikuar punën e policisë shqiptare.
Babai i katër fëmijëve u zhduk në një rrugë në Pukë, një zonë e thellë malore e Shqipërisë. Ai kishte ardhur për të bërë biznes në Shqipëri, ndërkohë që në Itali kishte pasur vështirësi së fundmi. Autoritetet italiane kanë marrë në pyetje partneren e tij shqiptare, me të cilën biznesmeni ka një fëmijë.
Ndërsa në Itali po hetohet për vrasje, në Shqipëri pritet të bëhen analizat e ADN-së të mbetjeve të gjetura në makinën e djegur në Pukë. Sipas UmbriaDomani, në Shqipëri është dërguar një kampion ADN-je i vëllait të biznesmenit për të bërë krahasimin.
Megjithatë, edhe kjo gazetë italiane ka rezerva për punën e policisë shqiptare. Ajo është kritikuar për vonesën në mbikëqyrjen e vendit të ngjarjes.
“Ka akoma shumë pyetje që presin përgjigje, si dhe shumë gjëra që policia shqiptare i ka lënë anash. Si është e mundur që telefoni dhe ora e Davide u gjetën pa dëmtime të veçanta, ndërkohë që makina u shkrumbua plotësisht? Për hetuesit shqiptarë, zjarri ka qenë aksidental, por kjo nuk shpjegon shkakun e zjarrit. Tezat e hetuesve vendas nuk janë aspak bindëse, ka ende shumë pyetje për zhdukjen e Davide, që është gjithmonë e më shumë një mister që nuk bind familjarët e tij,” shkruan gazeta italiane.