Hetimi dhe dërgimi për gjykim i ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, shihet nga qeveria si një lëvizje që do të ndihmojë në rrugën e integrimit europian të vendit.
Gazeta ka siguruar Planin e Integrimit Europian për periudhën 2021-2023, ku një rëndësi e madhe i kushtohet luftës ndaj korrupsionit.
Plani është hedhur për konsultim nga qeveria dhe tregohen planet e angazhimet për çdo kapitull të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Padyshim kapitulli 23 është më i rëndësishmi, i cili ka të bëjë me drejtësinë dhe korrupsionin. Aty thuhet se hetimi i ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla është sinjal i fortë për BE se korrupsioni po luftohet. Ndërkohë që përmenden dhe hetimet për personat e ngelur në veting.
“Nisja e hetimeve nga SPAK për ish-Prokurorin e Përgjithshëm A.LL. dhe gjithashtu regjistrimi i procedimit penal Nr. 137/20120 kundër 10 subjekteve me funksionin e ish-gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, për veprën penale të “Refuzimit të deklarimit, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose të ndonjë personi tjetër që ka një detyrim ligjor për të deklaruar”, parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
Gjithashtu, në datën 28.04.2020 është regjistruar kallëzimi penal Nr. 91, i paraqitur nga shtetasi F.D., kundër 20 shtetasve me funksion ish-gjyqtarë dhe ish–prokurorë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë, Apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, si dhe Prokurorive të ndryshme, për veprat penale të parashikuara nga nenet 143, 143/a/6, 180, 181, 248 dhe 257/a të Kodit Penal. Objekt kallëzimi janë deklarimet e kryera nga këto subjekte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vendimet e shkarkimit të tyre nga KPK”, thuhet në dokument.
Hetimet pasurore
Sipas dokumentit, SPAK ka nisur hetimin ndaj 23 ish-gjyqtarëve të ngelur në veting, që janë ish-anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Por bëhet me dije gjithashtu se ka nisur hetimi pasuror ndaj tyre, çka do të thotë se di të përsëritet e njëjta skemë si me Adriatik Llallën.
Në kuadër të ligjit antimafia pritet që të bëhet sekuestrimi i pasurisë për ta. Nën hetim janë dy ish krerët e gjykatave, Bashkim Dedja i Kushtetueses dhe Xhezair Zaganjori i Gjykatës së Lartë, ndërsa po ashtu dhe të gjithë vartësit e tyre të ngelur në veting. “SPAK ka filluar procedime penale kundër 23 ish-magjistratëve, duke përfshirë 9 çështje në lidhje me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Hetimet pasurore në lidhje me këto raste janë ende në proces.
Sipas të dhënave të SPAK, ka pasur së paku 22 raste të referuara ndaj kësaj strukture për fillimin e procedimit penal në 2020 në lidhje me zyrtarë të lartë”, thuhet në dokument.
Regjistër për korrupsionin
Plani i qeverisë është të krijojë një regjistër sa u takon hetimeve dhe gjykimeve për rastet e korrupsionit. Ndërkohë premtohet më shumë mbështetje për SPAK e BKH. “Arritja e një progresi të mëtejshëm drejt krijimit të një track record-i solid të çështjeve të korrupsionit, konfiskimit dhe rikuperimit të pasurive kriminale që rezultojnë nga veprat penale të lidhura me korrupsionin si dhe rritja e mëtejshme e përdorimit të financave hetimore;
Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), si dhe Gjykatat Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) të jenë operacionale dhe të adresojnë në mënyrë efektive korrupsionin e nivelit të lartë, të sigurojnë burime dhe bashkëpunim midis këtyre strukturave të reja me strukturat e tjera të prokurorisë dhe gjyqësorit”, thuhet në dokument. /Kliti Topalli