Lëvizja Socialiste për Integrim u është rikthyer sulmeve dhe akuzave ndaj Prokurorisë Speciale. Duke marrë shkas nga përgjimet e mafies italiane ku flitet se disa persona kanë lidhje me politikanë në Shqipëri, ai ka kërkuar që SPAK të hetojë, ndërsa nuk ka kursyer akuzat e presionet.
“SPAK është sot i thirrur në provë, në provën e tij më të vështirë dhe provën e ekzistencës së tij. Për të thënë nesër që kemi një institucion që mund të ndjekë e të dënojë krimin qeveritar, korrupsionin në nivelet më të larta, apo kemi një institucion të bërë njësh me ta e siguron alibinë e tyre.
Provat deri tani janë dëshpëruese. Kemi parë sesi SPAK nga një institucion që dënon veprimet, kthehet në një institucion që këshillon. Dhe rasti i tenderave të Ministrisë së Shëndetësisë, ministri e cila përmendet në përgjime si pjesë e aferave të dhjetëra tenderave të dhëna një personi të vetëm.
Pra SPAK si heton këta tendera të bëra në kohën e pandemisë, në hallin më të madh të shqiptarëve, e ku çmimet e mallrave të blera, të respiratorëve dhe kiteve ishin 3 herë më të larta se çmimi i tregut, këshillon që kjo të mos ndodhë më”, tha Vasili.
Më tej ai ka përmendur dosjen e vjedhjes së votave, ai e cilësoi akt të turpshëm mbylljen e saj. “Ashtu sikurse SPAK mbylli dosjen e turpshme 184, ku vjedhja e zgjedhjeve kishte brenda nga Kryeministri, ministra, deputetë, drejtorë, çfarë të doni.
Por kemi edhe atë SPAK që u katandis tek 184, që u çonte fletë arresti të vdekurve. Njëherë e përgjithmonë ky SPAK nuk mund të vazhdojë më kështu. Përballë ka një kauzë të jashtëzakonshme. Mafia Ndrangheta ka rrëmbyer qeverisjen e Tiranës dhe të Shqipërisë dhe bëjnë ç’të duan. Gropat e hapura anë e kënd nëpër Tiranë, janë gropat ku hidhen kolonat e mafies dhe Ndranghetës në mes të kryeqytetit, në mes të Shqipërisë”, tha nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.