Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi e ka cilësuar skandalin e “Ndranghetës”, të njëjtët si rasti i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Megaoperacion i autoriteteve italiane zbuloi lidhjen e klanit mafioz “Ndrangheta” me zyrtarë në Shqipëri e politikanë.
Ndërkohë sipas bisedave të publikuara në media, mafia italiane ka dërguar biznesmenin Antonio Gallo në vendin tonë që të futet në tendera e të ngrejë biznese, përmes të cilave të pastrohen paratë e tyre. Ky korrupsion ka kapur vlerën e 250 milionë eurove. Deri më tani janë përmendur, Presidenca, qeveria, Bashkia e Tiranës, por këta të fundit pa emra konkretë.
Por gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ish-kreu i SHISH ka hequr një paralele me rastin “Tahiri”, ku ky i fundit lakoi në përgjime nga mafiozët, ndërsa shprehet se përgjimet nuk janë prova finale. “Historia e Ndranghetës mu duk dhe ishte një Deja Vu e asaj që i ndodhi ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që njerëz që flisnin në telefon dhe e kam kushëri dhe do na ndihmojë, pa qënë në dijeni personi në fjalë.
Pra, është absurde që t’i veshësh si përgjegjësi të vërtetë këto përgjime, pa folur njerëz drejtësia. Nga kjo pikëpamje duhet që të nisin proceset gjyqësore dhe pasandaj gjërat marrin vlerën e vërtetë nëse përgjimet apo jo janë të vërteta, apo thjesht ëndrra të atyre mafiozë që kanë bërë muhabet. Kështu që në këtë fazë është shumë herët që të akuzosh dikë që: “Shiko se të ka dalë emri në një bisedë telefonike që kanë bërë 2 mafiozë””, deklaroi ai.
Ja si mafia depërton në politikë
Me tej ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi gjatë reagimit të tij për gazetën “SOT”, zbuloi edhe skemën se si mafia depërton në politikë. Sipas tij, grupet apo individët kriminal tentojnë të hyjnë në politikë për të mbrojtur interesat e tyre, ndërsa bëri me dije se ata kanë target pushtetarët apo politikanët e korruptuar, pra ata që e hanë dhe pranojnë lekun apo një interes që i bën bashkë për të mirën e tyre.
“Mafia kudo tenton të penetrojë dhe infiltrohet në polikë. Këta njerëz përpara se të bëjnë këtë gjë tentojnë shumë rrugë dhe ju ecën vetëm me nëpunësit apo politikanët që janë të korruptueshëm dhe e pranojnë këtë lloj aktiviteti. Mund të ketë plot të tjerë që përmenden atje, por nuk duhen konsideruar këto, madje e gabuar është ideja që janë publikuar përgjimet kur janë në proces hetuesie”, u shpreh ai.
Ndërkohë ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi theksoi se jo të gjithë ata politikanë që përmenden në përgjimet e mafies janë të inkriminuar apo mafiozë. “Sa i takon lajmit të ditëve të fundit mbi përgjimet për Ndranghetën, mua më pëlqeu përgjigjia që dha kryebashkiaku Erion Veliaj, se dëshirat e Ndranghetës nuk është përgjegjësia e atyre që iu përmendet emri.
Ndrangheta dhe mafia në përgjithësi janë njerëz që tentojnë dhe provojnë të inkriminojnë dhe penetrojnë brenda politikës, që ku ju ecën fitojnë dhe atje ku nuk u ecën nuk fitojnë dhe e lënë atë punë. Kështu që përgjimet tregojnë se ata njerëz që përgjohen janë mafiozë, por kjo nuk duhet të thotë se të gjithë ata që përmenden në muhabetet e tyre janë mafiozë”, nënvizoi ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi për gazetën “SOT”. /RIGELS SELIMAN