Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë në lidhje me përgjimet e autoriteteve italiane për dosjen “Ndragheta” ku ai përmendet nga mafja fqinje si një pikë kontakti.
Meta tha se gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë në këtë dosje hetimore duhet të ndiqet edhe nga institucionet vendase.
“Problemi i pastrimit të parave është i njohur nga të gjithë dhe i konfirmuar nga shumë institucione ndërkombëtare të cilat bëjnë vlerësimin apo kategorizimin e vendeve në këtë drejtim dhe të gjitha çështjet që i referohen zhvillimit më të fundit në Itali, për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë, duhet të ndiqet edhe nga institucionet tona”, tha Meta.
Përgjimet e prokurorisë italiane për Ndranghetan kanë zbuluar të dhëna tronditëse për përfshirjen e mafies italiane në Shqipëri.
Në përgjime përmenden biseda për ndërtime kullash në Tiranë, me qëllim pastrimin e parave.
Aty flitet për korruptimin e zyrtarëve të lartë shqiptarë dhe madje përmendet edhe presidenti Ilir Meta.
Tani jo se nuk dihen lidhjet e krimit me politikanët dhe korrupsioni i këtyre të fundit, por kur të del emri në përgjime edhe në mafien italiane, është paksa shokuese.
Dhe ajo që të bën përshtypje, është heshtja e shumicës së mediave në Shqipëri.
Ndërkohë sa për një paralelizëm, në Shqipëri u ngrit një furtunë e vërtetë (në prapaskenë qendronte Ilir Meta) kur në përgjimet e disa kriminelëve u përmend emri Saimir (asnjëherë Saimir Tahiri) dhe ish-ministri i Brendshëm shkoi në gjykatë, pa asnjë provë.
Sot njësoj përmendet edhe emri i Ilir Metës. Por në këtë rast askush nuk shkruan dhe nuk e përmend emrin e presidentit.