Ish-kryeministri Sali Berisha nuk ka shprehur asnjë shenjë pendesë për vrasjet e “21 Janarit”. Ditën e djeshme u shënuan plot dhjetë vite nga “21 Janari” i përgjakshëm, ku gjatë protestës së opozitës së majtë u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Por edhe pse kanë kaluar 10 vite, familjarët e katër viktimave janë ende në kërkimi të drejtësisë, ndonëse u pa qartë se katër protestuesit u qëlluan nga brenda godinës së Kryeministrisë nga Garda e Republikës, ndërkohë që u dënuan vetëm të fundit e listës së njerëzve që qëlluan mbi demonstruesit. Por ndërsa dje ishte një ditë përkujtimore, ish-kryeministri Berisha ka dalë në studion e “Çim Peka LIVE”, ku ka mbrojtur ethshëm vrasjet e “21 Janarit”.
Prerë dhe qartë Berisha e cilësoi protestën e opozitës së kohës si grusht i hapur shtetit dhe jo tubim paqësor, ndërkohë që theksoi se vrasjet i bëri Garda e Republikës në kushtet e vetëmbrojtjes, duke zbatuar sipas tij, ligjin. “21 janari shënon pas 80 e ca vitesh, përpjekjen e dytë për të marrë pushtetin me dhunë. Kështu që nuk jam dakord që e cilësoni protestë të dhunshme, ajo ishte përpjekje e qartë për marrje pushteti me dhunë.
Deklaratat e eksponentëve kryesorë të opozitës së asaj kohe, ishin të qarta. Nuk kërkonin as më shumë dhe as më pak se rrëzimin e një pushteti të ligjshëm. Në këto kushte Garda e Republikës zbatoj ligjin. Garda, siç është e ditur, nuk ka mjet mbrojtës tjetër, nuk ka shkop, nuk ka gaz, nuk ka sprajt. Mjeti i vetëm mbrojtës i tyre kudo në botë është arma”, deklaroi ai.
Kërkesa për të rihapur hetimet tremb Berishën
Më tej gjatë intervistës së tij, i pyetur për kërkesën e Policisë së Tiranës për të rihapur hetimet për ngjarjen e “21 Janarit”, ish-kryeministri Sali Berisha me tone të forta, shpërtheu në akuza të forta në adresë të qeverisë dhe institucioneve shtetërore. Prerë dhe qartë, Berisha këmbënguli, teksa theksoi se nuk ka arsye për t’u rihapur hetimet për “21 Janarin”, pasi sipas tij, një hetim i plotë për këtë ngjarje të rëndë është bërë asokohe, madje edhe nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë që për ish-kryeministrin ishte vënë nën shërbim të Edi Ramës.
“Nuk ka pse të bëhen hetime për “21 Janarin”, asokohe u bënë hetime të plota, madje edhe nga vegla e Edi Ramës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, ndrikull Ina Ramën”, u shpreh ai. Po ashtu, ish-kryeministri Sali Berisha ripërsëriti se nuk ka pse të bëhen hetimi, pasi ato janë bërë qysh në atë kohë, ndërsa theksoi se ai kishte kërkuar hetim ndërkombëtar për ngjarjen, por ishte Edi Rama që refuzoi.
“A qëlluan gardistët në kushtet ligjore apo jo, kjo është një çështje që është hetuar nga ekipi i Ina Ramës. Vetëm një gjë do ju kujtoj, është Sali Berisha që ka kërkuar hetim ndërkombëtar të ngjarjes. E kam kërkuar publikisht. U kam kërkuar përfaqësuesve të BE dhe SHBA që të hetohet paanësisht ngjarja. Njeriu që ka kundërshtuar hetimin në mënyrë të prerë dhe kategorike përmes Ina Ramës, ka qenë Edi Rama. Partnerët më kanë thënë se nuk pranon prokuroria, pra nuk e pranon Edi Rama hetimin ndërkombëtar”, tha ai.
Berisha sulmon 4 viktimat e “21 Janarit”
Por nuk ndalet me kaq. Ish-kryeministri Sali Berisha gjatë intervistës televizive jo vetëm që nuk shfaqi asnjë shenjë pendese dhe mbrojti ethshëm vrasjet e “21 Janarit”,por sulmoi edhe katër viktimat që u vranë në mes të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ndërkohë që ishin duke protestuar para Kryeministrisë.
Berisha injoroi vendimin e qeverisë shqiptarë, të cilët 4 viktimat e “21 Janarit” i cilësoi Dëshmorë të Atdheut, ndërsa i cilësoi si pseudodëshmorë të Grushtit të Shtetit. “Ata janë dëshmorë të puçit të Edi Ramës. Që unë të pranoj përpjekjen për të marrë pushtet me dhunë, unë nuk pranoj. Rama e bën vetëm për mburojë për veten e vet. E di se një ditë do gjykohet për atë organizim”, nënvizoi mes të tjerash ish-kryeministri Sali Berisha. /Rigels Seliman