Thellohen përplasjet mes kreut demokrat Lulzim Basha dhe kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. PD nuk po gjen ende gjuhën e konsensusit me PR, PDIU dhe LSI. Ndërkohë presionet e aleatëve janë rritur ndjeshëm.
Fatmir Mediu në një intervistë ditën e djeshme ka folur për raportet me Sali Berishën për të cilin është shprehur se ka një lidership shumë të qartë duke thumbuar në një farë mënyre dhe Bashën. Kryetari i PR u shpreh se është e rëndësishme që një raport fillimisht duhet të jetë njerëzor pastaj politik. “Unë kam dy njerëz që i vlerësoj shumë, i pari është Sabri Godo dhe kujtoj çdo fjalë të tij.
I dyti është Sali Berisha me një lidership shumë të qartë. Është e rëndësishme që raporti politik të ketë edhe një raport njerëzor. Unë nuk i kam kërkuar mendim këtë herë, por ne ruajmë raport miqësor”, tha Mediu. Ai u shpreh se e vlerëson Bashën që e ka mbajtur opozitën të bashkuar. Por sipas tij kryedemokrati duhet të vijë dhe të tregojë pikat që mund të dëmtojnë koalicionin.
Mediu tha se nëse Basha tregon pikat që mund ta dëmtojnë këtë koalicion, do të tërhiqet. “Raporti njerëzor është me shumë vlerë se shumë pak miq në politikë. Unë nuk po kërkoj, por që bashkë me Bashën të gjykojmë si partitë tona të marrin fitoren. Atëherë Basha duhet të vijë të më thotë se kush janë pikat që na dëmtojnë. Nëse ai më thotë se kjo pikë e dëmton koalicionin unë do tërhiqem. Nëse kam vlerësuar diçka të shëndetshme në politikën e Lulzim Bashës është se ka mbajtur opozitën bashkë”, deklaroi Mediu.
Mediu flet për largimin
Kryetari i PR me një qëndrim të prerë u shpreh se në qoftë se nuk arrihen negociatat me PD, nuk do të ketë asnjë opsion tjetër për marrëveshje me atë që quhet “opozita tjetër”, Astrit Patozin dhe Jozefina Topallin. Mediu tha se edhe pse e vetme, PR ka peshën e saj dhe do ta tregojë që është reale.
Ai u shpreh se PR ka nevojat e saj që ta bëjë sa më efektive këtë fushatë. Sipas tij negociatat nuk mund të bëhen në shtëpi, por duke u ulur me palët në tryezë. “Topallin dhe Patozin i kam pasur kolegë dhe i kam vlerësuar. Ajo që unë kam menduar është të vlerësoj atë që më ka dhënë çdo republikan, kam qenë deputet dhe ministër dhe kjo nuk është gjë e vogël.
Pjesëmarrja sa më e gjerë opozitare duke i lënë mënjanë paragjykimet. Marrëdhënie me PD ose PR vetëm, nuk kemi opsion tjetër. PR ka peshën e vet, nëse ajo nuk vlerësohet si duhet, do tregojë që ajo peshë është reale. PR për të organizuar njerëzit ka nevojat e saj për ta bërë sa më efektive këtë fushatë. Nuk mendoj se ka raporte të përhershme. Nëse është një sakrificë që ka të bëjë me Mediun le ta bëjmë. Nuk mund të mbyllesh brenda shtëpisë tënde dhe të thuash këto janë negociatat. Duhet të ulesh me palët”, deklaroi Mediu.
Në lidhje me qeverinë, Mediu tha se në këto 30 vite nuk ka qenë asnjë qeveri kaq e korruptuar sa kjo e sotmja. Prandaj sipas tij është e nevojshme për shqiptarët programi ekonomik që kreu demokrat ka prezantuar. Ai u shpreh se në këto kohë këto elemente janë të domosdoshme në raportin elektoral.
“Në historinë e këtyre 30 viteve nuk kemi pasur qeverisje kaq të korruptuar duke shkatërruar konceptin e shtetit. Shqiptarët kanë nevojë për atë programin ekonomik që thotë zoti Basha. Unë mendoj që në këtë kohë janë disa elementë të domosdoshëm në raportin elektoral. Ky realitet që ka ndërtuar Rama tregon se në çfarë terreni jemi”, u shpreh Mediu.