Vettingu ka nxjerrë viktimën e radhës sot nga radhët e drejtësisë shqiptare, duke prekur sërish nivelin më të lartë të gjyqësorit. Eshtë pasuria e pajustifikuar ajo që po përjashton një nga një nga radhët e drejtësisë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar shqiptarë.
Më konkretisht anëtarja e Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj e ka të sigurtë shkarkimin në seancën e radhës pasi Komisioni i Pavarur Kualifikimit ka arritur në konkluzionin se ajo posedon pasuri të dyshimta.
Në një seancë me tensione është zhvilluar sot verifikimi i pasurisë, ku KPK i renditi Xhoxhajt pasuritë që janë vlerësuar të jashtëligjshme. Bëhet fjalë për një banesë dhe truall te Gjiri i Lalzit si dhe një apartament në Tiranë.
Vetë gjyqtarja e Kuushtetueses Altina Xhoxhaj, ka reaguar shumë e acaruar në seancën në ngarkim të saj, që u mbajt sot paradite. Sipas saj, llogaritjet e KPK janë të bëra keq dhe janë vendosur apriori.
“Kam paraqitur prova te plota për të ardhurat. Më keni ngarkuar barrë prova duke mosnjohur mirë ligjin pasurinë e bashkëshortit.
Kërkoj konfirmim në detyrë pasi kam punuar në mënyrë të ligjshme. Se njihni ligjin”, ka thënë ajo, ndërsa u tregua tejet agresive. Por KPK ka argumentuar se “Xhoxhaj ka apartament banimi 101 m2 në rrugën ‘Reshi Petrela’, blerë 61 mijë e 50 euro.
Ka truall me sipërfaqe 221.9 m2, blerë në vitin 2013 në Gjirin e Lalzit, si dhe apartament 2+1 plus verandë po në Gjirin e Lalzit. Xhoxhaj ka disa llogari kursimi së bashku me bashkëjetuesin. Asaj i është kërkuar shpjegim për këtë pasuri. Gjyqtarja nuk i ka sjellë disa dokumente në kohë.
Xhoxhaj sot ka barrën e provës për të provuar burimin e pasurisë për apartamentin me sipërfaqe 101 m2. Ajo ka bërë deklarime të pavërteta”. Ndërkohë që me sa duket SHBA është tepër e vendosur për të mos lejuar certifikimin nga Vettingu të asnjë gjyqtari apo prokurori të përlyer në korrupsion dhe në shkelje të ligjit.
Pavarësisht se Avokatja e Popullit, përfaqësuese e PD, Erinda Ballanca për Altina Xhoxhajn deklaroi se është gjyqtarja më korrekte dhe e ndershme në Shqipëri.
Por askush të mos shpresojë se me ndërhyrje përmes mikut, politikanit apo ryshfetit, qoftë dhe mbrojtja nga Avokatja e Popullit nuk do t’u bëjë derman të korruptuarve në sistemin e drejtësisë.
Duke mos hyrë në detaje të tjera, fakti është se pas përjashtimit të sigurtë nga sistemi i drejtësisë i gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Altina Xhoxhaj, mbeten vetëm 4 anëtarë nga 9 anëtarë që duhen, në institucionin më të lartë të gjyqësorit.
Praktikisht Gjykata Kushtetuese nuk e ka kuorumin as për t’u mbledhur le më që të ndërmarrë vendime të rëndësishme.
Kështu që institucioni më i lartë gjyqësor në vend, Gjyakata Kushtetuese është “shuar” përfundimisht, dhe të gjitha ankimimet në këtë gjykatë janë nul për momentin.
Pasi as për ta marrë çështjen në dorëzim nuk mund të vendosin katër anëtarë, kur shumica e thjeshtë është me 5 anëtarë. Ndaj sikurse e ka paralajmëruar dhe “Pamfleti” është imediate që SHBA dhe BE të dërgojnë gjyqtarë dhe prokurorë në Shqipëri pasi deri në fund të dhjetorit vetëm 5 përqind e sistemit të drejtësisë i “mbijeton” Vettingut./Pamfleti.com