Ndryshimi i datave për kontrollin e aplikimit, çfarë ndodh me të përzgjedhurit, arsimimi, profesioni, intervista dhe kujdesi nga njoftimet mashtruese
Për ata që kanë aplikuar për Programin e Lotarisë DV-2019, njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit (Entrant Status Check), i cili do të jetë në përdorim duke filluar nga data 15 maj 2018, në faqen e Internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore Programit të Vizave të Shumëllojshmërisë. Fillimisht data e përcaktuar për njoftimin e fituesve ishte 2 maji 2018, por për shkak të problemeve gjatë aplikimit në muajin tetor 2017, afati u spostua. Kjo është e vetmja mënyrë me të cilën ju do të merrni njoftim të statusit të aplikimit tuaj. Nëse ju merrni një njoftim me anë të postës elektronike apo me postë rreth përzgjedhjes suaj në lotarinë E-DV, duhet të dini që ky njoftim nuk është i ligjshëm. Vetëm pasi ju të jeni përzgjedhur, pasi t’u jeni përgjigjur udhëzimeve të njoftimit të mundësuar për ju nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit, si dhe pasi të ketë filluar shqyrtimi i rastit tuaj, vetëm atëherë ju mund të merrni në vazhdim e-maile komunikimi nga QKK-ja që ju njofton juve të shikoni Kontrollin e Statusit të Aplikimit për informacione të reja rreth aplikimit tuaj.
Njoftim: Për të përzgjedhurit e programit DV-2019, duhet të plotësojnë formularin elektronik DS-260. Sa më herët ta plotësoni formularin DS-260, aq më shpejt keni mundësinë e caktimit të datë së intervistës për vizë. Caktimi i datës së intervistës varet nga dy faktorë: 1 – Numri juaj, sa më i ulët – aq më shpejt intervista, dhe 2 – Sa më shpejt të plotësoni DS-260 – aq më shpejt intervista. Formulari DS-260 gjendet në faqen e internetit të Qendrës së Aplikimeve Elektronike Konsullore.
Kriteret kualifikuese mbi arsimimin dhe punësimin
Të gjithë aplikantët e lotarisë së Vizave të Shumëllojshmërisë (DV) këshillohen të shqyrtojnë udhëzimet mbi kriteret e kualifikimit të arsimimit dhe punësimit para se të aplikojnë. Aplikanti kryesor (ai që është përzgjedhur në bazë të numrit të aplikimit) duhet të ketë arsimim apo punësim të kualifikueshëm me qëllim që të kualifikohet për një vizë të programit të lotarisë së DV-së.
Arsimimi: Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është i barasvlershëm me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4 vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm). Diplomat e shkollës së mesme gjimnaz me kohë të plotë kualifikohen për lotarinë. Shkollat e mesme profesionale me kohë të plotë mund të kualifikohen nëse ato në thelb përputhen me kërkesat thelbësore të një të arsimi të mesëm me kohë të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vendimi përfundimtar do të merret nga oficeri konsullor në ditën e intervistës për vizë.
Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme – pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesë vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin pa shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë. Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së.
Punësimi: Aplikantët që nuk përmbushin kriterin e arsimimit, duhet të përmbushin kriterin e përvojës në punë për dy vjet në një profesion që kërkon të paktën dy vjet trajnim apo përvojë brenda një periudhe pesëvjeçare menjëherë para aplikimit. Vetëm disa profesione specifike kualifikohen për programin e Vizave të Shumëllojshmërisë. Për t’u kualifikuar për një vizë të lotarisë mbi bazën e eksperiencës së punës, ju duhet të keni brenda pesë viteve të fundit dy vjet përvojë në një profesion që është përcaktuar si Zonë Pune 4 ose 5, e klasifikuar në Përgatitjen Profesionale Specifike (SVP) të vlerës 7.0 ose më lart. Profesionet kualifikuese të DV-së janë të renditura në Bazën e të dhënave të Departamentit të Punës O*Net Online Database.
Intervista e Lotarisë
Të Përzgjedhurit e Vizave të Lotarisë – Përgatitja për intervistën
Përpara intervistës tuaj për vizë, ne ju rekomandojmë të rishikoni të dhënat që keni dhënë në aplikimin tuaj fillestar për lotarinë. Sigurohuni që të keni dhënë informacionin e saktë mbi statusin tuaj civil në momentin e aplikimit fillestar. Nëse ju ishit i/e martuar në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë, ju duhet të kishit përfshirë bashkëshortin/en tuaj në atë aplikim fillestar (edhe nëse keni qenë në proces divorci). Përjashtim bëjnë rastet kur bashkëshorti është Nënshtetas Amerikan, ose
Banor i Përhershëm i Ligjshëm. Gjithashtu, ju duhej të kishit përfshirë të gjithë fëmijët tuaj të pamartuar dhe nën 21 vjeç në momentin e aplikimit fillestar. Me fëmijë nënkuptohen fëmijët tuaj biologjikë, dhe thjeshtrit- fëmijët e bashkëshortit/es tuaj, apo fëmijë që i keni birësuar ligjërisht, pavarësisht nëse jetojnë me ju ose jo. Sigurohuni që ju keni ngarkuar fotografinë e saktë për çdo pjesëtar të familjes në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë. Ngatërrimi i fotografive në aplikimin fillestar do të rezultojnë në refuzimin e vizës për ju dhe familjen tuaj. Mosdeklarimi i bashkëshortit/es ekzistues, apo i fëmijës ekzistues në momentin e aplikimit fillestar për lotarinë do të rezultojnë në refuzimin e vizës për ju dhe familjen tuaj. Çdo tarifë e paguar ndaj qeverisë së Shteteve të Bashkuara për aplikimin tuaj për vizë nuk rimbursohet. Nëse në momentin e aplikimit fillestar, ju nuk keni përfshirë një fëmijë ekzistues, apo një bashkëshort/e me të cilën ishit i martuar (pra, statusi juaj civil ishte “i martuar” në momentin e aplikimit fillestar), atëherë mos vazhdoni me procedurën e aplikimit për vizë. Ju mund të rishikoni kriteret e pranueshmërisë online.
Kujdes nga mashtrimet
Mesazhe mashtrimi që i dërgohen fituesve: Nëse ju keni marrë një postë elektronike (e-mail) që ju njofton se aplikimi juaj për programin e Lotarisë Amerikane ishte fitues dhe në mënyrë që të vazhdoni me aplikimin tuaj ju duhet të dërgoni një shumë të hollash (para) në emër të një personi, ju jeni viktimë e një mashtrimi. Vitet e shkuara, aplikantët fitues njoftoheshin nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore në Kentucky (QKK) me anë të postës, JO me e-mail dhe të përzgjedhurve u jepeshin udhëzimet se si të vazhdonin në hapat e mëtejshëm të procesit. QKK-ja nuk ju kërkon juve t’u dërgoni para (të holla) atyre, apo ndonjë Ambasade tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SH.B.A.) me postë apo nëpërmjet shërbimeve si Western Union.
Nëse ju merrni një njoftim me anë të postës elektronike apo me postë rreth përzgjedhjes suaj në lotarinë E-DV, duhet të dini që ky njoftim nuk është i ligjshëm. Vetëm pasi ju të jeni përzgjedhur, pasi t’u jeni përgjigjur udhëzimeve të njoftimit të mundësuar për ju nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit, si dhe pasi të ketë filluar procesimi i rastit tuaj, vetëm atëherë ju mund të merrni në vazhdim e-maile komunikimi nga QKK-ja që ju njofton juve të shikoni Kontrollin e Statusit të Aplikimit për informacione të reja rreth aplikimit tuaj. QKK-ja nuk do t’ju kërkojë juve t’u dërgoni para atyre, kësaj Ambasade, apo ndonjë Ambasade tjetër të SH.B.A.-së me postë, apo shërbime të tilla si Western Union. Nëse ju merrni një e-mail që ju duket të jetë një njoftim mashtrimi me Lotarinë DV, ne ju kërkojmë që ju ta dërgoni atë e-mail në adresën tonë të postës elektronike [email protected].
Lutemi të kontrolloni Paralajmërimin e Departamentit të Shtetit dhe Paralajmërimin e Komisionit Federal të Tregtisë mbi mashtrimet me Lotarinë DV.
Adresat mashtruese të internetit: Disa adresa interneti mund të tentojnë t’ju çorientojnë duke ju bërë të mendoni që ato janë adresat zyrtare të internetit për Lotarinë e Vizave të Shumëllojshmërisë. Ato mund të tentojnë t’ju kërkojnë të paguani për shërbime si formulari dhe informacionet, të cilat janë falas në adresat e internetit të Departamentit të Shtetit dhe të Ambasadave. Disa shoqëri kërkojnë pagesa për të plotësuar formularin e aplikimit për Lotarinë e Vizave të Shumëllojshmërisë.
Nuk ka asnjë pagesë për të plotësuar formularin e aplikimit elektronik për Vizën e Shumëllojshmërisë. Fituesit do të njoftohen VETËM nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit duke filluar nga data 2 maj 2017, në faqen e Internetit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore “Aplikimi Elektronik për Vizat e Shumëllojshmërisë” dhe nuk është e nevojshme përdorimi i ndihmësve për të aplikuar për Vizën e Lotarisë. Mbani mend, vetëm aplikantët e përzgjedhur njoftohen nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore në Kentucky (QKK). Asnjë organizatë tjetër apo kompani private nuk është e autorizuar nga Departamenti i Shtetit për të njoftuar aplikatët e DV-së për përzgjedhjen e aplikimit të tyre si fitues, apo të hapave të mëtejshëm në procesimin e aplikimit për vizë.