Ndërkombëtarët kërkojnë me ngulm zbulimin e parave të pista brenda dhe jashtë Shqipërisë. GRECO dhe Moneyval kanë dhënë disa herë alarmin për pastrimin e parave, ndërsa këtë herë kanë gjetur gatishmërinë e Kryeprokurorit Olsian Çela.
Në fundjavë kryeprokurori ka pritur në zyrë drejtuesen e Këshillit të Europës në Tiranë, znj. Jutta Gützkow. Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, ky takim kishte si qëllim thëllimin e bashkëpunimeve me zyrën e Këshillit të Evropës në luftën ndaj krimit ekonomik në Shqipëri.
Sakaq bëhet ne dije se, fokusi i këtij institucioni përgjatë 2021 do të jetë ne eliminimin e parave të pista dhe prokuroria po shfaq gjithashtu këmbënguljen e saj në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare. “Prokurori i Përgjithshëm z. Olsian Çela zhvilloi një takim me drejtuesen e Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gützkow me objekt koordinimin e aktiviteteve institucionale në luftën ndaj krimit ekonomik.
Pastrimi i produkteve të veprës penale dhe goditja e aseteve kriminale do të jenë në fokus të veprimtarisë së prokurorisë për vitin 2021. Në këtë kuadër, bashkërendimi i aktiviteteve institucionale me të gjithë organizmat ndërkombëtare që ofrojnë asistencë në këtë drejtim mbetet esencial për sigurimin e rezultateve konkrete”, thuhet në njoftim. Në njoftim sqarohet se, prokuroria në vendin tonë sëbashku me KiE do punojnë fillimisht në specializimin e punonjësve në këtë fushë dhe përmirësimin e kushteve në bazë të kuadrit ligjor.
“Zyra e Këshillit të Europës në Tiranë dhe Prokuroria e Përgjithshme do të bashkëpunojnë në disa aspekte që synojnë forcimin e mekanizmave institucionale në këtë fushë, trajnimet e prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore, pjesë e seksioneve të specializuara, si dhe në identifikimin e nevojave për plotësimin e kuadrit ligjor”, theksohet në njoftim.
Bashkëpunimi me PAMECA
Nga ana tjetër gjatë fundjavës u zhvillua raundi i dytë i trajnimit online mbi pastrimin e parave nga PAMECA V në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Përgjithshme Shqiptare. Gjatë fjalës së tij, eksperti i PAMECA V për Krimin e Organizuar, Z. Giovanni Pasqua, garantoi se ky bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme në Shqipëri do të vazhdojë edhe Antonio Balsamo nga Gjykata e Lartë në Itali vuri në dukje rolin që kanë institucionet për parandalimin e pastrimit të parave dhe i nxiti ata të jenë më shumë bashkëpunues.
“Giovanni Pasqua shprehu angazhimin e mëtejshëm të Projektit PAMECA për të asistuar PP në ndërmarrjen e iniciativave të tilla që synojnë rritjen e efikasitetit të hetimeve financiare. Ndërsa Z. Antonio Balsamo, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Gjykatës së Lartë të Kasacionit në Itali, u përqendrua në këndvështrimin ndërkombëtar të pastrimit të parave, si dhe rolin thelbësor të institucioneve financiare.
Prezantimi i qasjes metodologjike për hetimin e veprave penale në fushën e pastrimit të parave, përdorimi i mjeteve të posaçme hetimore, si dhe standardet dhe praktika e BE-së, ishin me shumë interes për pjesëmarrësit dhe gjeneruan një diskutim interaktiv dhe profesional ndërmjet tyre”, njofton PAMECA. Një aspekt tjetër që u trajtua gjatë trajnimit lidhej me bashkëpunimin kombëtar, rajonal, ndërkombëtar dhe ndërinstitucional mbi pastrimin e parave, Gjatë takimit u parashtrua një përmbledhje e Udhëzimit të Prokurorit të Përgjithshëm mbi masat administrative dhe procedurale në luftën kundër pastrimit të parave.
Nga lëvizjet kaq intensive të ndërkombëtarëve duket se janë të rrezikuar dhe politikanë të cilët kanë pasuri dhe para të fshehura jashtë vendit, për të cilët alarmi është vendosur i pari. Shumë emra kanë investuar në parajsat fiskale dhe javët e fundit janë shtuar përpjekjet e thirrjet për gjetjen e këtyre parave.