Më 9 korrik, u ekstradua nga Shqipëria në Itali Luan Vrapi, shqiptari i shumëkërkuar nga drejtësia italiane për vrasjen e 22-vjeçarit Hyso Telharaj, në shtator të 1999-s.
Në pamje të parë, duket si një nga ato lajmet rutinë, që nëpër media shqiptare i has shpesh. Por, në anën tjetër të detit, në Itali, ky lajm u prit me gëzim dhe interes. Hyso dhe Luan janë emra të njohur në shtetin fqinj, protagonistë të një historie që nuk është harruar, edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vite.
Hyso është më i vogli nga gjashtë fëmijët, i lindur në një fshat të vogël afër Vlorës, në një familje shumë të thjeshtë, por plot me dashuri. Me babain e paralizuar, që kur pësoi një aksident të rëndë në mesin e viteve ‘60, është e ëma ajo që drejton familjen e vetme, duke punuar dhe rritur gjashtë fëmijët e saj dhe duke u kujdesur për burrin e saj të sëmurë.
Hyso rritet me ndjenjën e burrit të shtëpisë, një detyrë dhe një përgjegjësi e madhe që rëndon mbi shpatulla. I rritur si shumica e shqiptarëve duke ndjekur serialin televiziv italian “Oktapodi”, prodhim i Rai-t, ndër të paktët filma të huaj të lejuar në ekranin e vetëm shqiptar, Hyso nuk e mendonte në ato momente se fati i tij, si te ‘’Oktapodi’’ do të kryqëzohej me mafien italiane.
Përpos faktit që në shkollë ishte një nxënës i shkëlqyer, në moshën 13 vjeçare vendos të largohet për në Greqi. Si shumica e emigrantëve, fillon të punojë si murator. Punëtor dhe miqësor me të gjithë, fiton simpatinë e banorëve, madje edhe të punëdhënësit të tij, i cili e strehon dhe e trajton si djalin e tij. Ai dëshiron ta adoptojë për ta ndihmuar me dokumentet, por Hyso nuk pranon: ai nuk dëshiron që e kaluara e tij, familja e dhe origjina e tij të fshihet nga dokumentet.
Me kalimin e kohës, dhe me përkushtimin e tij ndaj punës, ai mëson edhe si ti projektojë shtëpitë, dhe jo vetëm si t’i ndërtojë ato. Për vite, ai vazhdon të shqetësohet për nënën dhe motrat e tij, duke dërguar të gjitha kursimet e tij në familje, për t’u siguruar që asgjë të mos u mungonte. Në vitin 1999, pas një periudhe të kaluar në Shqipëri, në të cilën ai personalisht ndërtoi shtëpinë për prindërit e tij, vendosi, i mbështetur nga motrat e tij, që të vazhdonte studimet. Ëndërronte të bëhej topograf.
Hyso vendos të ndjekë shembullin e shumë bashkatdhetarëve të tij: dëshiron të largohet në Itali për të filluar studimet dhe më në fund të mendojë për veten e tij. Motrat janë të gjitha të martuara dhe ai, i cili deri më tani kishte luajtur rolin e babait, inkurajohet të kujdeset për veten e tij dhe të mendojë për të ardhmen e tij. Nuk i bën të ditur familjes së tij se si do të largohet, ndoshta me një nga gomonet e shumta që nisen për në Itali: fillon aventura italiane.
Largohet bashkë me kushëririn e tij 17-vjeçar, Simon Tragaj. Ata mbërrijnë në Puglia, ku fillojnë të punojnë për mbledhjen e produkteve të stinës midis Cerignola dhe Borgo Incoronata. Hyso dëshiron të kursejë para për t’u regjistruar në universitet dhe për të studiuar si topograf. Por ai, gjithmonë i sjellshëm me të gjithë, gjithmonë i buzëqeshur, nuk është në dijeni që jeta e punëtorëve sezonalë në Puglia përbehet nga rregulla të rrepta, që nuk mund t’i shpëtojë një sistemi të ashpër siç është ai i mafies. Ai nuk pranon t’i nënshtrohet shantazheve dhe nuk pranon të dorëzojë një pjesë të fitimeve të tij. Nuk e kupton rrezikun, pothuajse me siguri nuk e di që gjesti i tij është një akt rebelimi dhe se ka shkelur rregullat e ‘’mafies’’.
Në mbrëmjen e 8 shtatorit 1999, informohet se njerëzit që ai ka kundërshtuar po vijnë për ta kërkuar në vilën ku ai jeton në fshat afër Borgo Incoronata. Dikush i sugjeron që ai të arratiset, por nuk pranon. Në bordin e një Croma të drejtuar nga Addolorato Pompeo Todisco, një sipërmarrës bujqësor nga Orta Nova, mbërrijnë katër persona të armatosur, tre shqiptarë dhe një grua polake. Gruaja dhe Todisco qëndrojnë në makinë, tre bashkatdhetarët e Hyso hyjnë në vilë dhe fillojnë tw dhunojnë Hyson dhe Simon. Fillimisht janë përplasur me njëri-tjetrin vetëm fizikisht, dhe më pas grupi i shqiptarëve kanë marrë armët dhe konflikti ka arritur deri tek përdorimi i tyre. Hyso vdes atë natë nga plagët e marra.
Ajada
Në 2012, Ajada, një vajzë me origjinë shqiptare, në Itali që nga mosha 11 vjeçare, merr pjesë në kampin veror të Liberi (shoqata që ka për synim kujtimin e viktimave të mafies). Një pasdite në hijen e ullinjve të vilës së konfiskuar një prej bosëve të mafies, një vullnetar i Libera tregon historinë e Hyso-s. Ajada tronditet nga historia dhe në ditët në vijim mendimi i saj është t’u japë jetë atyre fjalëve. Dëshiron të gjurmojë familjen, t’i tregojë atyre historinë e Hyso-s, por gjithashtu t’i bëjë ata të marrin pjesë në aktivitetet që të rinjtë e Libera zhvillojnë. Në përfundim të kampit merr me me vete një shishe vere të quajtur Hyso Teleray.
Një pasaportë, një dhuratë miqësie
Emërtimi i të vdekurve nuk është një gjest i thjeshtë keqardhjeje, por ju kthen atyre nderimet e mohuara. Për një kohë të gjatë, në Itali, Hyso ishte një hero ‘’anonim’’, pa asnjë foto apo imazh. Një emër që përkujtohet çdo vit gjatë Ditës së Përkujtimit dhe Angazhimit të Libera-s, së bashku me viktimat e tjera të pafajshme të mafies. Emër i zgjedhur për verën e parë të prodhuar në ato vreshta që dikur i përkisnin familjeve mafioze.
Dhe një ditë, të dy rrugëtimet kryqëzohen dhe më në fund Hyso ka një emër dhe një imazh. Ajada e nuk e ka harruar historinë. Nuk është dorëzuar asnjëherë dhe një ditë qershori 2016 falë internetit dhe ndihmës së disa ish-shokëve të shkollës në Shqipëri, Ajada gjen motrën e Hyso-s, Polikseni Telharaj. Ajada i shkruan një letër të gjatë Poliksenit, duke u përpjekur me delikatesën më të madhe për të kuptuar nëse është familja Telharaj. Gjatë verës Ajada shkon të takojë familjen në Shqipëri dhe i bind ata të udhëtojnë në Itali. Ajada i tregon familjes se në Itali, Hyso është një hero dhe ka një verë që mban emrin e tij.
Familja e Hyso-s
Këtu fillon një bashkëpunim i ngushtë. Motra e vogël e Hyso-s, kontakton Libera-n dhe pas disa muajsh organizohet një udhëtim në Itali. Vëllezërit e Hyso-s sjellin dhurata, fotografi dhe dhuratën më të çmuar: pasaportën e Hyso-s.
‘I vëllai më dha pasaportën e Hyso-s. Ai e vuri jetën, identitetin e tij në duart e mia, gati sikur të donte të më thoshte se në këtë tokë ku humbi jetën, është e drejtë që ai të jetojë në mendimet tona. Ndjeva se ai moment ishte një pikë e jashtëzakonshme arritjeje. ” – u shpreh Daniela Marcone, kryetare e Libera.
Procesi gjyqësor
Të dyshuarit për vrasjen e Hyso ishin tre shqiptarë (Edmond Vrapi, Kujtim Celhaka dhe Luan Vrapi), një vajzë sllovene Liekova Maria dhe Addolorato Pompeo Todisco, i vetmi italian. Në shkallën e parë, Gjykata e Foggia Assize, më 24 nëntor 2009, i dënon tre shqiptarët me 21 vjet secili dhe Todisco me 14 vjet për bashkëpunim në vrasje. Gjykata e apelit në Bari, konfirmon dënimin e tre shqiptarëve me 21 dhe 18 vjet; Todisco u lirua nga akuza e bashkëpunimit në vrasje.
Familjarët e Hyso Telharaj nuk marrin pjesë, ata madje nuk caktuan një avokat të besuar. Askush nuk u kishte thënë atyre se çfarë hapash duhet të ndiqnin. Dhe ata kurrë nuk kishin arritur të merrnin një vizë për të hyrë në Itali. Dokumenti i vetëm në posedim të tyre është një njoftim nga ana e prokurorit V. Cananiello të Prokurorisë Publike të Gjykatës së Foggia, e cila përmban emrat e të dyshuarve dhe të drejtën për të caktuar avokat të besuar. Një fletë, e cila nuk ishte përkthyer në shqip.
Kujtimi i Hyso është akoma i gjallë në Itali, ku shumë evente të e Universitetit të Libera-s në Torino i janë kushtuar Hyso-s. Për më tepër, Kantina e Kooperativës Sociale “Terre di Puglia” – Libera Terra, e vendosur në një pronë të konfiskuar nga mafia i dedikohet atij.
Emri i Hyso është bërë një simbol i rebelimit kundër mafies, i kujtuar shpesh nga shoqata Libera, e cila për përvjetorin e njëzetë të vdekjes së tij, në shtator 2019, organizoi tre ditë aktivitete të quajtur “Buzëqeshja e ëmbël e Hyso Telharaj”, ku u prezantuan filmi-dokumentar ‘’Hiso’’ dhe libri ‘’Non a caso’’, në kujtim të heroit shqiptar. Pas 20 vjetësh, Hyso mund të prehet i qetë, më në fund. Përgatiti Mendrit Shehu
Marrë nga gazeta “Si”