Prokurori në detyrë i Uashingtonit tha të premten se nuk ka “prova të drejtpërdrejta” që sugjerojnë se protestuesit që sulmuan Kapitolin kishin formuar “grupe që do të kapnin e vrisnin” ligjvënës brenda ndërtesës.
Komentet e Prokurorit të përkohshëm Michael Sherwin u duk se ishin një përpjekje për të sprapsur dyshimet e ngritura në një padi të enjten nga disa prokurorë federalë në Arizona, sipas të cilëve ka prova se protestuesit kishin për qëllim “të kapnin e vrisnin zyrtarë të zgjedhur”.
Zoti Sherwin tha se zyra e tij po udhëheq përpjekjen e prokurorisë, por ndërsa zyrat lokale ndihmojnë për të identifikuar të dyshuarit në zonat e tyre, mund të ketë pasur edhe një “shkëputje” në provat e siguruara deri më tani lidhur me çështjet.
Ndërsa vazhdojnë hetimet, të enjten vonë prokurorët federalë ngritën pretendime të gjera në një padi gjyqësore ndërsa i kërkuan një gjykatësi që të miratonte një urdhër ndalimi ndaj Jacob Chansley, një shtetas amerikan nga Arizona. Ky i fundit mbështet e përhap teoritë konspirative të QAnon.
Ai u fotografua ulur në tryezën e Nënpresidentit Mike Pence në Senatin amerikan ndërsa mbante një kokore me brirë mbi kokë. Zoti Chansley pritet të dalë para gjykatës federale të premten në mbrëmje./VOA