Pas dekretimit nga presidenti Ilir Meta, janë publikuar në Fletoren Zyrtare ndryshimet në ligjet e paketës së 5 qershorit. Opozita dhe mazhoranca më 5 qershor ranë dakord për reformën zgjedhore dhe u arrit pakti për ndërhyje në një sërë ligjesh, mes të cilave në Kodin Penal, të Procedurës Penale dhe në disa ligje të tjera.
Përmes këtyre ndryshimeve, rriten ndëshkimet për blerjen e votës dhe këto hetime do të kryhen nga SPAK. “Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende punë ose për favorizime të tjera në cilëndo formë me qëllim për të marrë firmën apo paraqitjen e kandidatit për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë deri në 2 vite burg.
Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve apo favorizimeve të tjera kundër kryerjes së veprime të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë”, thuhet në nenin 328. Një tjetër ndërhyrje ka të bëjë me detyrimin e politikës ndaj administratës për të marrë pjesë në fushatë. “Detyrimi i shtetasve në varësi administrative, kundër vullnetit të tyre apo nën kanosjen e përdorimit të masave administrative, për të marrë pjesë në veprimtari zgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.
Detyrimi apo organizimi për të marrë pjesë në veprimtari elektorale të një subjekti zgjedhor, i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, ose detyrë a funksion në arsimin jo publik, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga 3 muaj gjer në një vit”, thuhet më tej në ligj. Ndryshimet janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe do të hyjnë në fuqi pas 15 ditësh.