Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dosje dhe listë me emrat për të gjithë të korruptuarit në Shqipëri. Paralajmërimi ka ardhur nga ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi në një reagimi mbi deklaratën e fortë të bërë dy ditë më parë nga Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer.
Ky i fundit u shpreh se do të ketë bllokime vizash për zyrtarët dhe politikanët e korruptuar të Shqipërisë, ndërsa zoti Klosi në një prononcim për gazetën “SOT” ka dhënë dje detaje nga koha kur ai ka drejtuar SHISH. Klosi zbuloi të fshehtat si i marrin amerikanët të dhënat, ndërsa pohoi se SHBA-të kanë listë me emra të zyrtarësh dhe politikanësh të korruptuar shqiptarë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një listë me zyrtarët, politikanët e korruptuar në Shqipëri. Qysh në kohën kur unë kam qenë në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror, që nuk shtrohej fare ky problem që kishim përpara ndonjë detyrë sikundër është kjo që lidhet me fushatën dhe mbështetjen ndaj reformës në drejtësi, amerikanët dhe këtë madje e kam konstatuar vetë si kreu i SHISH, kanë pasur të dhëna të plota lidhur me të gjithë zyrtarët shqiptarë, por edhe për politikanë që nuk ishin zyrtarët nga opozita dhe mazhoranca.
Pra, Uashingtoni ka një listë me zyrtarë të korruptuar që nga momenti në moment pritet t’i shpallë “Non Grata” nëse e sheh të arsyeshme”, deklaroi ai.
SHBA ka më shumë dosje se vetë SHISH
Më tej gjatë prononcimit të tij e teksa ka zbuluar detaje të pathëna ndonjëherë, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi pohoi se amerikanët kanë më shumë dosje se vetë SHISH për zyrtarët e korruptuar dhe jo vetëm, ndërsa shtoi se burimet e informacioneve SHBA i ka kudo. Sipas tij, kryefjala e amerikanëve është që të hetojnë përpara se të bashkëpunojnë me një vend, pasi ata kanë alergji nga të korruptuarit.
“Burimet e amerikanëve janë të shumta dhe ata janë të interesuar të hetojnë dhe të dinë se me çfarë vendi janë duke bashkëpunuar, aq më tepër që ne do të hynim në NATO dhe tanimë presin të hyjnë në BE. Kështu që nga kjo pikëpamje ata kërkonin informacion nga ne, madje ndonjëherë kishin informacion më shumë se ne për këdo. Po ashtu edhe vende të BE kanë informacione dhe lista me emra zyrtarësh të korruptuar, por në zyrat e DASH është lista e plotë e të korruptuarve shqiptarë dhe jo vetëm”, u shpreh ai.
Mbledhja e informacioneve
Po ashtu, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi zbuloi se një ndihmë të mirë amerikanëve për të pasur një panoramë të qartë mbi zyrtarët dhe politikanët e korruptuar shqiptarë iu shkon edhe nga investitorët, të cilët sipas tij, sapo kthehen në SHBA japin informacione dhe detaje mbi ata që kanë parë e përjetuar në Shqipëri.
“Ndërkohë me sa kam dijeni unë, amerikanët përveçse burimeve të tyre zyrtare, merrnin informacion për klimën politike dhe ekonomike në Shqipëri edhe nga investitorët e tyre që vinin në Shqipëri për të investuar. Pra, kur këta të fundit ktheheshin në SHBA, ata jepnin detaje të plota mbi vizitën, si u pritën, a hasën në korrupsion, etj. Pra, para se amerikanët të bashkëpunojnë, hetojnë. Dhe jam plotësisht i sigurt që amerikanët kanë informacion të bollshëm për të korruptuar dhe këto llafe nuk janë lëshuar për të trembur njerëz, por për ta bërë realitet luftën kundër korrupsionit”, tha ai.
Ndërkohë, duke komentuar zërat se SHBA i ka bllokuar vizën ish-kryeministrit Sali Berisha, zoti Klosi theksoi se do t’i pëlqente që kjo gjë të ishte e vërtetë. “Nuk e di nëse është e vërtetë që amerikanët i kanë bllokuar vizën ish-kryeministrit Sali Berisha! Por do të më pëlqente që SHBA ta shpallte “Non Grata” Sali Berishën, pasi është personi që i ka bërë një mijë të zeza këtij vendi. Berisha e meriton të shpallet “Non Grata” nga amerikanët, pasi i ka bërë shumë dëm vendit tonë në këto 30 vite. Saliu e futi politikën shqiptare në rrugën e acarimit, përplasjeve dhe nga kjo pikëpamje ai e meriton të jetë i padëshirueshëm nga amerikanët”, nënvizoi Klosi për gazetën “SOT”. /RIGELS SELIMAN