Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me banorët në zonën e Ali Demit në Tiranë dhe një nga problemet më të mëdha që shtronin qytetarët ishte mungesa e asaj që e dëgjon kudo, në çdo cep të Tiranës, në çdo cep të Shqipërisë, mungesa e punësimit, mungesa e mundësive për të zhvilluar biznesin, ekonominë.
Kryemadhi tha se ajo që është më e dhimbshme ishte që fëmijët i kishin studentë nëpër shkolla dhe e vetmja gjë që kishin si shpresë ishte largimi i tyre nga Shqipëria, ndërkohë që pandemia ka dhënë goditjen e vet.
Monika Kryemadhi: Në fakt unë ju falënderoj shumë për këtë ftesë dhe bashkëbisedim, në zonën e Ali Demit, që edhe pse çdo gjë ndryshon, vetëm kjo pjesë nuk ndryshon, që kanë atë tradicionalitetin e vet dhe identiteti i tyre nuk ka ndryshuar. Breza të shumtë kanë ikur e kanë ardhur, por kjo zonë ka pasur qëndresën e vet.
Ne jemi sot këtu së bashku me Erisën, me doktor Etjonin. Doktor Etjonin e kemi pak si pikë të dobët, në kuptimin e mirë të fjalës, sepse përveç se është doktor është edhe socialist, si puna ime, i vjetër, por mesa duket jemi bërë socialistë të rinj pranë LSI-së. Unë e kam ftuar doktor Etjonin që të kandidojë në listën tonë për deputetë në Tiranë, sepse me thënë të drejtën ne kemi nevojë për të hapur partinë dhe jo vetëm, me njerëz që kanë vlera. Sot më shumë se kurrë Shqipëria nuk ka nevojë për fjalë të bukura, propagandë dhe fasadë, sot Shqipëria ka nevojë për realitet, për njerëz që janë jo vetëm vendimmarrës, por kanë edhe ide për t’i realizuar.
Kryemadhi tha se Veliaj duhet që të kujdeset më tepër për qytetarët e Tiranës e të mos i lërë në harresë, duke shtuar se kryebashkiaku e ka bërë qytetin të pajetueshëm.
“Rrugës kur vija, po thoja që i vinte shumë keq lali Erit për LSI-në, por gjithë këtë merak që kanë për LSI-në ta kenë për qytetarët e Tiranës. Sepse sot qytetarët e Tiranës vuajnë çdo ditë e më shumë trafikun e rënduar. Ishim në mëngjes në njësinë numër 10, ku një nga problemet kryesore ishte parkimi, që ishte i pamundur.
Ata thanë që shkojnë me orë të tëra larg në mëngjes, për shkak të punëve jashtë Tiranës, pastaj i duheshin orë të tëra për t’u kthyer, por sfilitja më e madhe është në orët e darkës kur i duhej të ktheheshin në shtëpi, është që i rrotulloheshin lagjes vërdallë për të gjetur një parkim për makinat. Ajo që diskutonim ishte që shumicën e parasë së karburantit dhe naftës më shumë e harxhojmë në kërkim për parkim dhe në trafik sesa rrugën për të ikur në punë”, tha Kryemadhi.
Monika Kryemadhi u shpreh se në Tiranë mungojnë po ashtu shkollat e çerdhet.
“Ashtu sikurse në anën tjetër shikon në të gjitha lagjet e Tiranës mungesën e shkollave dhe çerdheve, nuk është më problem të shikojmë kush është shkaktari i saj, por e rëndësishme është të gjejmë cilat janë hapësirat tona, mendësitë dhe politikat tona për të pasur një numër sa më të vogël fëmijësh në çerdhe dhe në kopshte, në mënyrë të tillë që edhe kujdesi i edukatoreve dhe i mësuesve të jetë më i madh ndaj tyre. Ashtu sikurse dhe në anën tjetër, ju e dini vetë, problematikat që ka jo vetëm njësia 1, por edhe në familje, mungesa e punës, mungesa e shumë gjërave të tjera. Ne jemi akoma në diskutim për programin”, u shpreh Kryemadhi.
Më tej, Kryemadhi vlerësoi se duhet që të ketë politika më të mira për gratë e vajzat, pasi ata punojnë jashtë shtëpisë, por edhe bëjnë punët e përditshme.
“Unë sot isha me një mikun tim dhe ai thoshte që më pëlqen shumë mënyra sesi ju angazhoheni dhe merrni përsipër për të krijuar hapësira për gratë dhe vajzat, por sidomos për të krijuar një jetë më të lehtë për gratë. Dhe do të ishte shumë mirë që nëse do të rishikonim në propozimet tona, që të gjitha pajisjet të cilat lehtësojnë punën e grave, të jenë pa taksa. Sepse në fund të fundit këto nuk janë mjetë fitimprurëse, nuk janë biznes i madh, por është një mundësi ekonomike që e duan sot të gjithë gratë, në mënyrë të tillë që koha e tyre të jetë më e shkurtër për t’u angazhuar me punët e shtëpisë dhe të kenë një kohë më të gjatë për t’iu përkushtuar qoftë punës së tyre, karrierës profesionale e kështu me radhë”, theksoi Kryemadhi.
Kryetarja se LSI nuk i ka shpetuar shprehjes se saj te famshme “na hapi barkun ky Edi Rama”, te cilen e tha ne fund ne takim, duke treguar ide te qarta per qeverisjen e neserme, zanatet e LSI-së… hajdutërinë, injorancën dhe pasurimin duke mashtruar!