Presidenti Ilir Meta ka intensifikuar lëvizjet për të shpëtuar LSI nga shkrirja dhe për të pasur edhe 5 vite imunitet nga hetimet.
Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë jetike për PS, PD dhe LSI, por në veçanti për presidentin, pasi nëse partia e tij nuk vjen në pushtet, ai në vitin 2022 ikën nga Presidenca dhe nuk do të ketë asnjë imunitet politik. Kjo është pjesa që si duket ka alarmuar presidentin pasi Byroja e Hetimit do të ngrihet shumë shpejt, ndërsa SPAK ka paralajmëruar se do të shkohet drejt shembullit kroat.
Gazeta ka mësuar se po bëhet një luftë shumë e fortë në opozitë që LSI të mbijetojë dhe presidenti po ashtu të mos ketë asnjë telash më drejtësinë e re. Meta ka spostuar Kryemadhin dhe ka marrë vetë në dorë negociatat me Bashën mbi mënyrën se si do të shkohet në zgjedhje, ndërsa mbi tavolinë ka hedhur të gjitha kërkesat e mundshme. PD nuk e pëlqen daljen me dy lista në zgjedhje dhe për këtë arsye LSI ka dalë me disa alternativa.
Përveç kërkesës që në disa qarqe të ketë listë të përbashkët, mësohet se në 2-3 qarqe të vogla, sidomos në Berat e Gjirokastër, LSI kërkon që të jetë ajo që udhëheq listën dhe PD mund të fusë 1-2 vetë në pjesën fituese. Kjo gjë ka shtuar akoma dhe më tepër dilemat te lideri demokrat, pasi PD mund të dalë shumë e humbur me këtë skemë.
Ndarja e pushtetit
Përveç skemës së listave, gazeta ka mësuar se LSI ka kërkuar që tani të hidhen piketat e ndarjes së pushtetit. Pak kohë më parë, mediat pranë LSI hodhën një lajm provokativ, duke bërë të ditur se Meta është gati që më 26 prill të dorëzojë detyrën dhe të bëhet kryeministër ose ministër i Brendshëm. Sipas informacioneve kjo kërkesë i është paraqitur dhe vetë PD, por Basha e ka bërë të qartë se një gjë e tillë nuk negociohet.
Si posti i kryeministrit edhe ai i ministrit të Brendshëm do të drejtohen nga PD, duke refuzuar planet e presidentit. Por gazeta ka mësuar se i gjendur përballë kësaj situate, Meta ka kërkuar që të zgjidhet dhe për një mandat tjetër si president. Në vitin 202 atij i mbaron mandati 5-vjeçar dhe me ndryshimet ligjore të 2008 presidentit mund të zgjidhet edhe me 71 vota në raundin e katërt.
Pra nëse PD-LSI janë në pushtet mund ta zgjedhin vetë kreun e shtetit dhe Meta mësohet se ka kërkuar garanci nga Basha që nëse fitojnë zgjedhjet, ai të marrë një rikonfirmim në detyrë. Por mësohet se lideri i PD akoma nuk i ka konfirmuar një gjë të tillë presidentit. Basha ua ka bërë të qartë të gjithë aleatëve se qeveria do të projektohet pas zgjedhjeve. Sipas ligjit, konstituimi i Parlamenti bëhet në shtator dhe Basha e ka bërë të qartë se nga prilli në shtator janë rreth 6 muaj që mjaftojnë për të ndarë qeverinë.
Kreu i PD është vendosur në një situatë të vështirë, pasi të gjithë aleatët kërkojnë pjesë në qeveri. Disa prej aleatëve tradicionale mësohet se synojnë ose një post ministri ose disa poste zëvendësministrash dhe drejtorësh. LSI po ashtu synon 4-5 ministri dhe Meta të mbetet president. Por lideri demokrat duket se po i mban në ankth të gjithë, pasi nuk ka bërë asnjë premtim.
Madje dhe vendimin për listat e kandidatëve e ka shtyrë për shkak të situatës së përmbytjeve. Arsyeja që Basha nuk do ta ndajë që tani planin e qeverisjes është sepse së pari PD synon të vijë e vetme në pushtet. Nëse PD siguron rreth 73 mandate, LSI me shumë gjasë mbetet në opozitë. Teoria tjetër që qarkullon në korridoret politike është edhe ajo e bashkëqeverisjes me PS. Gjithçka mbetet të shihet pas 25 prillit.