Aleatëve tradicionalë të Partisë Demokratike duket se iu ka sosur durimi dhe ndihen mjaft të irrituar me kryedemokratin Lulzim Basha për çështjen e listave.
Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit po afrojnë, ndërkohë që opozita e bashkuar ende nuk e di se si do të hyjë në zgjedhje. Javën që lamë pas, kreu i PD dhe zyrtarë të tjetër të kësaj partie zhvilluan disa takime me aleatët tradicionalë demokratë.
Burime nga selia blu dhe nga krerët e partive të vogla të kampit opozitar, i thanë gazetës se në fokus të takimeve mes tyre dhe zotit Basha ka qenë strategjia se si opozita do të shkojë në zgjedhje, ndërsa i parashtruan edhe disa kërkesa liderit demokrat, për të cilat kishin marrë garanci se do të merrnin zgjidhje deri të hënë. Por dje skadoi afati dhe nuk është qartësuar ende formula e opozitës se si ajo do të shkojë në zgjedhje.
Për këtë arsye gazeta mësoi ditën e djeshme se disa nga krerët e partive aleate të Partisë Demokratike, kishin kontaktuar në telefon me shefin e demokratëve, teksa ky i fundit iu ka premtuar se shumë shpejt do ta zbardhin strategjinë e opozitës dhe se këto vonesa kanë ndodhur për shkak se ai ka qenë në terren, për të ndjekur nga afër situatën e përmbytjeve. Mirëpo, kjo përgjigje nuk i ka kënaqur aleatët tradicionalë të PD, pasi çdo ditë që kalon, rritet ankthi tek ta, sepse nuk dinë si të veprojnë. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
LSI dorëzohet dhe paralajmëron daljen më vete
Por teksa aleatët tradicionalë po përpiqen me të gjitha mënyrat për të bindur kryedemokratin Lulim Basha që opozita e bashkuar të shkojë me dy lista në zgjedhjet e 25 prillit dhe se strategjia duhet të zbardhet sa më parë, Lëvizja Socialiste për Integrim është dorëzuar dhe madje ka paralajmëruar dalje më vete, pra me listën e saj në zgjedhje.
Një gjë të tillë e ka paralajmëruar ditën e djeshme Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Endrit Braimllari. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat i dërgoi një mesazh të koduar Bashës, ndërsa u shpreh i bindur se Lëvizja Socialiste për Integrim i ka të gjitha kapacitetet që të dalë e vetme në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. “Ne po bëjmë të pamundurën për të maksimizuar votën pasi beteja jonë është me keqqeverisjen. Në këtë vendimmarrje janë të gjitha partitë.
Gjithçka është e hapur, por LSI ka kapacitetet e saja të forta për të dalë me një listë të vetën. Ky është një vendim që do të merret në strukturat e LSI-së, por edhe një vendim i përgjithshëm i gjithë kampit opozitar, pasi ne kemi katër vite bashkë”, deklaroi ai. Ndërkohë nga ana tjetër, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari i kishte rezervuar një “këshillë” Partisë Socialiste, duke i kujtuar që të përgatitet për një opozitë të gjatë, pasi sipas tij opozita do të ketë një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. “LSI është në rrugën e saj të funksionimit.
Ne kemi të rinjtë tanë, por dyert tona janë të hapura për të gjithë ata që duan të luftojnë keqqeverisjen. Votat vijnë nga programi që rikthen shpresën. Fuqizimi i LSI është kapilar në të gjithë Shqipërinë. Në Durrës ka një rritje spektakolare të LSI-së, po ashtu në Fier, Korçë, Berat ku PS rrezikon të marrë vetëm një deputet etj. Unë e kuptoj shqetësimin e Rilindjes, por s’kemi ç’t’i bëjmë. Rilindja të përgatitet për një opozitë të gjatë”, deklaroi Braimllari.