Mbrëmjen e së hënës një ngjarje e rëndë është shënuar në Greqi, ku ka mbetur i vdekur kryefamiljari dhe janë plagosur rëndë dy djemtë e tij Anxhelo dhe Mihali.
Ndërkohë e plagosur ka mbetur edhe kamarierja, Xhorxhina Kaso, e cila nuk kishte lidhje me ngjarjen por e ka kapur plumb qorr.
Një oficer i forcave speciale tha se ‘autori i masakrës së djeshme kishte për qëllim që të vriste të gjithë familjen para tij, kjo do ishte një tragjedi e vërtetë’
Duke folur për CNN Grek, ai tha se nëse anëtarët e familjes nuk do kishin vrapuar, do kishte të tjera viktima. Dy djemtë e familjes janë në gjendje të rëndë në spital, ndërkohë që në vendin e ngjarjes ishte edhe nëna e tyre. CNN raporton se akoma nuk dihet se përse e gjithë familja kishte zbritur poshtë për të debatuar.
Gruaja e viktimës dhe nëna e djemve të plagosur ka dhënë dëshminë e saj për organet hetimore. Ajo ka thënë se ishin pesë persona me të cilët u përplasën. Pas një debati, mes familjes dhe tyre nisi një sherr i dhunshëm që përfundoi me krisma.
Burri i saj ra i vdekur në vend, ndërsa djemtë u larguan me vrap për të shpëtuar nga plumbat. Ka raportime se burri u vra pasi u doli para plumbave për të shpëtuar djalin.
Dy familjet e përfshira në konflikt njiheshin me njëra-tjetrën, ndërsa sherri ka nisur për motivet e një mosmarrëveshjeje për një borxh financiar. Kanë dëshmuar në polici bashkëshortet e viktimës dhe autorit.