Akuzat e presidentit Ilir Meta ndaj qeverisë se nuk ka marrë asnjë masë sa u takon përmbytjeve të ndodhura ditët e fundit dhe paralajmërimet se vendi do të shkojë drejt kaosit, nëse opozita e bashkuar do të humbasë zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, kanë ngjallur reagim në radhët e socialistëve.
Ditët e fundit presidenti Meta ka kërcënuar me përmbysje të qeverisë, ndërsa ka shtuar dozën e sulmeve ndaj mazhorancës qeverisëse, të cilën e akuzon se ka braktisur qytetarët. Por këto sulme, deputetët e Partisë Socialiste i shohin si shenjë frike dhe dëshpërimi. Sipas tyre, kreu i shtetit është i tmerruar nga reforma në drejtësi dhe kërkon kaos për të bllokuar atë.
Ndërkombëtarët e dinë tashmë se kush është Meta
Fillimisht, ka qenë deputeti i PS, Bujar Çela, i cili gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ka shpërthyer kundër presidentit Meta, të cilit i ka kujtuar se retorika e tij është boshe dhe se shumë shpejt, sipas tij, do të vijë dita që SPAK të trokës në Presidencë për t’i kërkuar atij llogari për gjithçka ka bërë gjatë këtyre 30 viteve.
Madje, ligjvënësi Çela shkoi deri atje kur i kujtoi Metës se edhe ndërkombëtarët e dinë tashmë kush është në të vërtetë ai, referuar debatit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. “Presidenti Ilir Meta është përfundimisht i shkundur totalisht dhe i pashpresë për të dalë nga llumi ku është zhytur. Metën nuk e shpëton dot as Monika dhe as Berisha, pasi ai është lëndë e parë e gatshme për të gjitha strukturat e reja të reformës në drejtësi. Kështu që në 25 prill ai dhe forca e tij politike do marrë një goditje të fortë nga sovrani.
LSI do shkrihet dhe Metës do i trokasë SPAK. Edhe ndërkombëtarët e dinë tashmë kush është Meta dhe nga presioni i bërë nga ambasadorja amerikane në Tiranë, ai kishte vetëm një rrugë, o të dekretonte anëtarin e Gjykatës Kushtetuese ose vetëm të dekretonte dhe pastaj të vriste veten ose të bënte deklaratën e çmendur të radhës. Meta është kthyer si burgosuri i çmendinës me fund të paracaktuar po nga vetë ai që ditën që votoi me policët ndërkombëtarë mbi kokë, hapjen e rrugës së fundit të vet të pashmangshëm drejt shtatë penxhereve”, deklaroi Çela.
Socialistët akuza Metës
Në të njëjtën linjë me kolegun Çela dje është rreshtuar edhe deputeti i Partisë Socialiste, Andrea Marto. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, u shpreh i keqardhur që presidenti Ilir Meta është zhveshur nga roli i kreut të shtetit dhe po bën politikë. Sipas tij, qeveritë rrëzohen me votë dhe jo me dhunë e revolta, sikundër pretendon Meta. “Fatkeqësisht, prej shumë kohësh, Presidenti i Republikës ka lënë mënjanë detyrat e tij kushtetuese dhe luan rolin e një kryeopozitari destruktiv.
Në vazhdën e këtij roli përfshihen edhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj shumicës dhe qeverisë. Në demokracitë parlamentare qeveritë ndryshohen me votën e lirë të qytetarëve dhe për rrjedhojë thirrjet për përmbysje, ngado që vijnë, janë antikushtetuese”, deklaroi Marto. Ndërkohë akuza në adresë të presidentit Ilir Meta dje hodhi edhe deputetja e PS, Artemis Malo. Kjo e fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, u shpreh se Meta ndihet në siklet, pasi në 25 prill partia e tij do të shkrihet.
“Thirrjet e presidentit Ilir Meta për të përmbysur qeverinë dhe Partinë Socialiste janë thirrje dëshpëruese. Është e turpshme që presidenti Meta sulmon dhe akuzon mazhorancën socialiste qeverisëse me një gjuhë që edhe rrugaçi nuk e bën. Por megjithatë një gjë është e sigurt në këtë fabul, që Ilir Meta po sulmon PS dhe kryeministrin Edi Rama, pasi në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit LSI do marrë një goditje të fortë dhe do të shkrihet si parti. Kështu që për Shqipërinë Ilir Meta është një e keqe e madhe”, deklaroi Malo./Rigels Seliman