Partia Socialiste duket e vendosur për t’i shkuar deri në fund nismës së saj për të izoluar presidentin Ilir Meta. Ky i fundit është zhveshur nga roli i kreut të shtetit, ndërsa i ka shpallur luftë qeverisë “Rama” dhe po merret me politikë sikur të jetë kryetar partie e jo president.
Për këtë arsye mazhoranca përmes një grupi pune hartoi në nëntor të vitit që lamë projektligjin “Për Institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë”. Ky draft tashmë është përmbyllur dhe janë plot 45 nene, përmes së cilës mazhoranca do të mbajë nën kontroll Presidentin e Republikës.
Por qysh prej fillimit të muajit nëntor kur u zbardhën detaje nga ky projektligj, mazhoranca nuk ka hedhur asnjë hap për të diskutuar draftin në komisione e më pas ta dërgojë atë në Parlament për ta votuar. Aktualisht Kuvendi e ka mbyllur sesionin parlamentar dhe pritet që të nisë punë javës tjetër.
Mirëpo gazeta u interesua pranë anëtarëve të Komisionit të Ligjeve, të cilët pohuan se drafti për ligjin organik tashmë është gati dhe se ata nuk do të presin, pasi do ta kërkojnë që të futet në rendin e ditës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit qysh sapo të fillojë sesioni parlamentar. Pra, mësohet se mazhoranca është e vendosur për të mos pritur më dhe se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve do të kërkojë që ky projektligj të depozitohet, me qëllim që të nisë diskutimet në komisionet parlamentare dhe më pas t’i shkojë Kuvendit për votim.
Kjo do të thotë se më 18 janar ligji për izolimin e Metës shkon në Kuvend. Megjithatë, sikundër pohuan të njëjtët burime, një tjetër arsye se përse mazhoranca nuk kërkon që të zvarritet miratimi i këtij ligji, është për shkak se ajo dëshiron që të izolojë presidentin Ilir Meta, pasi ky i fundit mund t’i shfrytëzojë këto muaj para zgjedhjeve për t’u përfshirë në fushatë elektorale. Sidoqoftë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Rama porosi deputetëve të mos vonojnë ligjin
Por zvarritja dhe mos mbyllja e draftit për ligjin organik për Presidentin e Republikës nga Kuvendi i Shqipërisë brenda sesionit parlamentar të vitit që lamë, “acaroi” edhe kryeministrin Edi Rama. Gazeta “SOT” zbuloi disa ditë më parë se zoti Rama iu kishte dërguar një mesazh deputetëve të Partisë Socialiste përmes kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, të cilëve iu kërkonte që të nxitonin me projektligjin, pasi sipas tij, me sjelljet e fundit, presidenti Ilir Meta duhet të izolohet me patjetër.
Në mesazhin që publikoi gazeta, i pari i qeverisë ka kërkuar nga të vetët që ta kopsitin mirë draftin, në mënyrë që të mos i lënë shteg Metës që të abuzojë, duke qenë se edhe pak muaj na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Madje, mësohet se Rama është shprehur qartë dhe prerë se mazhoranca nuk i ka asnjë borxh Ilir Metës dhe boll e ka toleruar, kështu që sesioni i ri parlamentar duhet të nisë me “pensionimin” e presidentit Ilir Meta. Në këtë pikë mësohet se në mesazh,
Rama ua ka bërë të qartë se Meta duhet të izolohet brenda muajit shkurt. Pra, duke qenë se sesioni i ri parlamentar nis në 18 janar dhe duhen disa ditë që drafti të diskutohet në komisionet kuvendore, plani i socialistëve është që ai të shkojë për votim në Parlament në fillim të muajit shkurt. Kjo do të thotë se me votimin e tij dhe botimin në Fletoren Zyrtare, zoti Meta do të izolohet dhe do të ketë të vështirë që të bëjë fushatë, edhe pse ai ka deklaruar se nuk do ta njohë ligjin organik të mazhorancës socialiste.
Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht. Kujtojmë që parimi i të gjithë ligjit organik për institucionin e presidentit të hartuar nga mazhoranca është se atë që kreu i shtetit nuk e bën, e bën Kuvendi. /NGA RIGELS SELIMAN