Nga Anila Denaj
Me keqardhje, edhe pse të angazhuar dhe në mesin e mobilizimit të Qeverisë dhe strukturave të Emergjencave Civile për situatën e vështirë nga reshjet në vend, më duhet të përcjell një sqarim, për të shmangur keqinformimin e publikut të gjerë, interpretimet politike apo hamendësimet e opozitës.
Qeveria Rama në vitin 2016, reformoi procedurat e marrëveshjeve ndërkombëtare, përmes një ligji të ri në standardet e vendeve më të zhvilluara. Përpara këtij viti dhe në kohën e Partisë Demokratike, Qeveria e PD-së merrte borxh sipas dëshirës, me një autorizim të thjeshtë titullari.
Mund të mirëkuptoj padijen e opozitës për proceset dhe detyrimet ligjore të përmbushura me përpikmëri nga Qeveria, por nuk mund të toleroj keqinformimin publik!
Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbetet e hapur të ndajë me palët e interesuara informacionin, që dëshmon zbatimin e legjislacionit dhe mbrojtjen e interesit publik, sikundër e sanksionon Kushtetuta. Ngjyrimet politike nuk mund të fshehin faktin, se kemi të bëjmë vetëm me rishikimin e objektit të financimit dhe aspak të termave financiarë, duke mos i sjellë asnjë kosto shtesë buxhetit të shtetit.
Qeveria Rama do të vijojë të bëjë realitet infrastrukturën në zonën e Vlorës! Projekti i Rrugës së Lumit të Vlorës, ka lidhur dhe po lidh një zonë të gjerë gjeografike dhe me rëndësi historike, nga Bypassi i Vlorës, në Peshkëpi, Gjorm dhe Qeparo.
Rruga Gusmar-Kuc dhe Bencë-Lekdush, po përfundon, duke lidhur Tepelenën me Bregdetin e Jugut, një rrugë të mbetur në ëndrrat e banorëve për më shumë se gjysëm shekulli. Rruga e Selenicës është një premtim, i cili do të mbahet.
Shqiptarët shohin dhe dëgjojnë cfarë është bërë në këto 8 vite, me fakte dhe realitete të reja! Sot jemi pikërisht në shërbim të tyre, në zgjidhje të çdo vështirësie të krijuar nga reshjet.