Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka pas emërimit në detyrën e re takimin e parë e ka zhvilluar me ambasadorin e Bashkimit Europian, Luigi Soreca.
Me anë të një postimi në rrjete sociale ministrja Xhaçka shkruan se në takimin e zhvilluar me Sorecën pati shkëmbim konstruktiv mbi pikëpamjet për procesin e integrimit europian dhe fillimin e projektit për asistencën teknike për integrimin.
Ndër të tjera Xhaçka shprehu mirënjohje ndaj BE dhe ambasadorit Soreca për ndihmën e dhënë ndaj Ministrisë së Jashtme dhe institucioneve në vend. Po ashtu, Xhaçka bëri me dije se integrimi i vendit do të jetë gjithmonë në fokus.
“Zhvillova sot një takim shumë të mirë pune me ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca. Shkëmbim konstruktiv i pikëpamjeve mbi procesin e integrimit dhe fillimin e projektit për asistencën teknike për integrimin.
Mirënjohje për ndihmën e dhënë nga Bashkimi Europian për Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe institucionet e tjera shqiptare, si dhe për kontributin personal të ambasadorit Soreca. Integrimi do të jetë gjithmonë objektivi ynë më i rëndësishëm strategjik. Do të angazhojmë të gjitha burimet dhe energjitë tona, për t’u përgatitur për hapjen e negociatave Shqipëri-BE”, shkruan Xhaçka.
Ndërkohë, ministrja Xhaçka pas takimit me Sorecën zhvilloi edhe një bisedë me Komisionerin për Zgjerimin Oliver Varhelyi. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka e ka cilësuar këtë bisedë si të mrekullueshme, ndërsa shpreson që 2021 të jetë viti i integrimit në BE. “Një takim i shkëlqyer me komisionerin, vlerësim i thellë i angazhimit të tij për integrimin në Bashkimin Europian. Mirënjohës për mbështetjen në trajnimin e situatës Covid dhe pasojat ekonomike. Ne shohim për një datë për Konferencën e parë!
Shpresojmë që 2021 të jetë një vit vendimtar për procesin e integrimit në BE”, shkruan Xhaçka. Sakaq, Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi reagoi pas takimit me Xhaçkën, teksa u shpreh se Covid-i dhe integrimi i Shqipërisë në BE ka qenë fokusi kryesor i bisedës së tyre. “E përgëzova për emërimin dhe diskutuam mbi progresin e Shqipërisë në perspektivën në Bashkimin Europian. Ne folën dhe për luftën kundër Covid-19. BE qëndron pranë Ballkanit Perëndimor, shoh një bashkëpunim të frytshëm”, shkruan Varhelyi.