Deklarata e kryeministrit Edi Rama kundër zgjedhjes së Donald Trump President të SHBA, bëri jehonë në mediat më prestigjoze ndërkombëtare. Gjatë vizitës në Kosovë, Rama deklaroi se zgjedhja e tij do të përkeqësonte marrëdhëniet Shqipëri –SHBA. Mirëpo, kjo deklaratë nuk ka kaluar pa vëmendje, pasi i kanë kushtuar artikuj. New York Times’, “Abc News”, “Asociated Press”, dhe një sërë mediash të tjera amerikane.
Sipas amerikanes ‘New York Times’, deklartat e Ramës bëhen një javë para vizitës që ai do të bëjë në Uashington. “Donald Trump është një kërcënim për Amerikën, dhe padyshim, një kërcënim për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA”, citon NY Times kryeministrin Rama. Gazeta vë në dukje se kryeministri i Shqipërisë u shpreh që nuk po u referohej republikanëve, por “një karakteri që ka ngjallur shqetësim, tek disa republikanë, aq sa ata tani duan të votojnë për Hillary Clinton”.
‘New York Times’ shkruan se gjatë vizitës në Uashington, Rama pritet të takohet me Presidentin Obama dhe Zv.Presidentin Joe Biden. Kryeministri Edi Rama ishte i ashpër të enjten në gjuhën që përdori ndaj Donald Trump, duke paralajmëruar prishjen e marrëdhënieve me SHBA nëse ai zgjidhet president. “Unë e kam thënë hapur atë që mendoj për Donald Trump-in dhe nuk e kam fare problem ta përsëris as këtu as kudo që të jetë; as në shqip dhe as në anglisht, që Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet që është kërcënim edhe për marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane”, deklaroi kryeministri.
Ai u shpreh ndër të tjera se zgjedhja e tij President do e dëmtojë shumë Amerikën. “Që i bie që mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin President. Sepse do të ishte një President që do t’i bënte dëme të mëdha Amerikës dhe sigurisht do të ishte një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, tha ai