Demokratët kanë fituar kontrollin e Senatit dhe në tërësi të Kongresit, pasi shënuan fitore në garat e balotazhit të Senatit të martën që tërhoqën vëmendjen e kombit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson raporton nga Atlanta, Xhorxhia mbi pasojat për presidencën e zotit Biden.
Votuesit në Xhorxhia u dhanë demokratëve kontrollin e Senatit amerikan, ndërsa republikania Kelly Loeffler humbi përballë pastorit demokrat Raphael Warnock, i cili tani bëhet senatori i parë afrikano-amerikan nga shteti i Xhorxhias.
“Udhëtimi i pabesueshëm që më çoi në këtë vend në këtë moment historik në Amerikë mund të ndodhte vetëm këtu”, tha zoti Warnock.
Dhe demokrati Jon Ossoff mundi senatorin republikan David Perdue.
“Le të bashkohemi tani për të mposhtur këtë virus dhe për të përshpejtuar lehtësimin ekonomik për njerëzit e shtetit tonë dhe për popullin amerikan”, tha zoti Ossoff.
Ky shtet pati një pjesëmarrje të paprecedent për një zgjedhje balotazhi, duke shpërblyer përpjekjet me vite të demokratëve për ta kthyer një bastion të vjetër republikan në një shtet të lëkundur.
Pretendimet e pabazuara të Presidentit Trump për manipulim zgjedhor në këtë shtet mund të kenë kontribuuar për këtë zhvendosje.
“Humbja nuk mund të pranohet, kur ka vjedhje”, tha Presidenti Trump.
Shumë nga mbështetësit e presidentit dolën për të votuar në Xhorxhia, duke thënë se zgjedhjet ishin shumë të rëndësishme.
“Ne nuk e morëm lirinë tonë duke lejuar njerëz të tjerë të hyjnë dhe të drejtojnë këtë vend ashtu siç dëshirojnë demokratët të bëhet”, thotë Mark Hice, mbështetës i Presidentit Trump në Xhorxhia.
Pretendimet e presidentit duket se ndikuan në uljen e pjesëmarrjes së republikanëve në tërësi në këtë shtet, thonë analistët.
“Presidenti ka mbjellë një konfuzion të madh në këtë shtet me akuzat e tij për një proces të manipuluar atje. Dhe ka patur një frikë mes republikanëve prej kohësh, se kjo mund të dekurajonte pjesëmarrjen e republikanëve”, thotë profesori Hank Edmondson.
Nënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris do të ketë votën që do të bëjë diferencën në një Senat amerikan që së shpejti do të udhëhiqet nga Chuck Schumer.
“Do ta bëjmë Amerikën të funksionojë sërish”, tha zoti Schumer.
Kjo shënon një ndryshim thelbësor pushteti për Presidentin e zgjedhur Biden – duke çelur mundësitë për partneritet me Kongresin për të miratuar axhendën e tij gjatë dy viteve të tij të para në detyrë, para zgjedhjeve të radhës.
“Udhëheqësi i shumicës së Senatit është me të vërtetë personi më i rëndësishëm në Kongres – asgjë nuk ecën përpara pa udhëheqësin e shumicës së Senatit, dhe ne e pamë këtë me Mitch McConnell-in”, thotë analisti politik Fred Hicks.
Presidenti i zgjedhur Biden do të marrë detyrën mbështetur nga shumicat demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat – hera e parë që kjo parti ka kontrolluar të dyja dhomat prej një dekade.