Çështja e zgjerimit të Greqisë me 12 milje në deti Jon ka shkaktuar debate në politikën e brendshme të Shqipërisë.
Pikërisht debatit mes kryeministrit Rama dhe presidentit Meta i kanë kushtuar vëmendje edhe mediat greke.
“Një përballje e ashpër midis Presidentit të Shqipërisë Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama provokoi dekreti Presidencial për shtrirjen e ujërave territoriale greke në 12 milje në Jon”, shkruajnë mediat në Athinë.
Presidenti shqiptar, vijon më tej shkrimi, “pretendon se nga viti 2018 ai nuk ka asnjë informacion mbi ecurinë e bisedimeve midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe zotohet se kur të ketë të gjitha informacionet nga qeveria e vendit të tij ai do të informojë publikun”. Por, “Edi Rama thekson se ky vendim i Greqisë nuk ka asnjë lidhje me demarkacionin midis dy vendeve”, thuhet në shkrim.
“Dhe vërtetë është”- vazhdon më tej artikulli “Ky vendim nuk përfshin demarkacionin midis Greqisë dhe Shqipërisë”, mbyllet shkrimi.
Mbrëmjen e djeshme emisioni “Log.” publikoi dekretin presidencial grek që shkaktoi debatin e fortë, ku evidentohet fakti se vendimi i Athinës nuk ka të bëjë me shtrirjen me 12 milje në Jon, por me mbylljen e gjireve të saj.