Sali Berisha duket se nuk i ka aspak mirë punët me amerikanët. Gazeta e ka theksuar javët e fundit se SHBA nuk e sheh dot në politikë, ndërsa sinjalet shtohen nga dita në ditë për një konflikt të heshtur mes tij dhe Uashingtonit.
Dje Sali Berisha sulmoi Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Në rrjetet sociale ai nxori diplomën e kryetares Pamela Qirko, ku shprehej se ajo ka ngelur në fakultet. “KPK drejtohet nga një e mbetur në klasë.
Merita: Pamela Qirko është motra e Ndrikull Ballukut. Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital. Sb “I nderuar doktor, jam një punonjës i KPK, aty çfarë nuk dëgjoj lloje pazaresh, por kjo s’ka rëndësi, ajo që është më skandaloze është se drejtuesja e KPK, Pamela Qirko, motra e ministres së Ramziut, Belinda Ballukut, ka ngelur me shkollë dhe drejton vetingun, kjo është skandaloze.
Po ju dërgojmë diplomën e ngelëses Qirko ku provohet se shkollën e ka filluar në 1996 dhe e ka përfunduar në 2001, pra 5 vjet, jo 4 vjet siç ka qenë sistemi arsimor në atë kohë.
Kjo është skandaloze””, thuhej në statusin e Berishës. Lajmi u përhap me shpejtësi nga portalet pranë PD-LSI, ndërsa nuk vonoi shumë dhe ambasadorja amerikane Yuri Kim u shfaq në zyrën e zonjës Qirko. Ambasadorja dje bëri një vizitë në KPK ku u takua me kryetaren dhe anëtarët, ndërsa mësohet se i ka garantuar se SHBA do të jetë në krah të tyre dhe se ata nuk duhet të bien pre e presioneve.
Ambasadorja reagoi dhe në rrjetet sociale, ku dyshimet janë se mesazhi ishte për Berishën, pasi ai sulmoi dje kryetaren e KPK. Ndryshe nga sa pretendon Berisha, ambasadorja u shpreh qartë se të gjithë anëtarët gëzojnë besimin e Uashingtonit.
“Kam pasur një takim të sinqertë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit në lidhje me presionin dhe sfidat me të cilat përballen. Unë i falënderova për punën e tyre vitin e kaluar, i cili vazhdoi pavarësisht COVID. SHBA mbështet fuqimisht dhe insiston në pavarësinë dhe integritetin e KPK për hir të drejtësisë në Shqipëri”, shkruan Kim në Twitter.
Mesazhet për Berishën
Ambasadorja amerikane kohët fundit e fundit ka reaguar fort sa i takon reformës në drejtësi. Yuri Kim nuk ka lejuar asnjë sulm dhe kritikë ndaj organeve të reja. PD sulmoi Byronë e Hetimit para emërimit të zonjës Hajnaj, por ambasadorja reagoi fort duke detyruar demokratët që të mos flasin më për BKH. Dje Berisha sulmoi KPK, ndërsa nuk vonoi reagimi amerikan.
Ndërkohë një reagim akoma dhe më i ashpër i ambasadës ishte gjatë protestave. Edhe ai reagim dyshohet se ishte mesazh për Berishën, i cili nxiste dhunë dhe kaos nëpër televizione. “Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën.
Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të përkeqësojnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë”, tha ambasadorja.
Nga ana tjetër ndaj ish-kryeministrit një reagim të fortë pati dhe nga BE pak ditë më parë, pasi ky i fundit sulmoi shefen e ONM, Genoveva Calavera.