Nga Adriatik Doçi
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi sot Presidentit Ilir Meta, kandidaturën e Sonila Bejtja, për ta emëruar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin e lënë vakant nga Besnik Muçi.
Dhe Ilir Meta nuk priti gjatë, pasi e emëroi disa orë më pas. Sonila Bejtja është bashkëshortja e Andi Bejtes, analistit pranë LSI-si dhe bashkëpronar i televizionit të familjes Berisha, Syri Tv, është anëtar i organizatës me emrin “Qendra për Informim të Hapur”, që në ka në pronësi televizionin.
Anëtarja e re e Gjykatës Kushtetueses mendon njëlloj si PD-LSI sa i takon mungesës së legjitimitetit të Kuvendit, për ligjet e kthyera nga Ilir Meta, për reformën në drejtësi dhe për kauzat e tjera të opozitës.
Zonja Bejtja, e cila ka punuar si notere, ka mbështetur tezën e Metës dhe Berishës, sipas të cilëve Kuvendi nuk është legjitim pas dorëzimit të mandateve të deputetëve nga PD-LSI. Ajo ka pohuar se Parlamenti duhet të shpërndahej. Sipas saj, edhe zëvendësimi i mandateve të dorëzuar nga PD-LSI është i paligjshëm.
Në prill të 2019, në studio televizive, Sonila Bejtja ka pohuar se “Kushtetuta thotë se Parlamenti ka 140 deputetë. Numri 140 është numri që shpreh vullnetin e sovranit. Edhe kuorumet funksionojnë mbi këtë numër. Miratimi i ligjeve, kthimi mbrapsht i dekreteve të Presidentit me çfarë kuorumi bëhet? Me ato 106 deputetë!
…Në rastin e një parlamenti jo legjitim, parlamenti duhet të shpërndahet. Por, kushtetuta nuk e përcakton si kompetencë të Presidentit shpërndarjen e Parlamentit. Përcakton një mundësi të Presidentit për shpërndarjen e Parlamentit kur nuk zgjedh kryeministrin e ri. Kemi një lloji vakumi. Por, në një vakum të tillë ne mund të aplikojmë edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, të vitit ’93, ku është shprehur qartë. Unë vazhdoj t’i mëshoj mosfunksionimit të Parlamentit. Unë mendoj se nuk është funksional, nuk është legjitim.
Unë mendoj se këta deputetë, para se të krijonin ato grupet e pavarura, duhet të vërtetoheshin që ishin deputetë. Ata nuk legjitimohen të jenë deputetë në Parlament sepse nuk pasqyrojnë vullnetet partive. Mandatet e tyre nuk janë të ligjshme. Deputetët që vihen në fillim të listave përfaqësojnë kohezionin e partisë dhe kanë më shumë përkrahje në një zonë të caktuar”.
Sonila Bejtja mendon si Ilir Meta sa i takon ligjeve të qeverisë për kadastrën dhe dividentin, të kthyer mbrapsht nga Meta dhe të rivotuara nga mazhoranca. “Në situatën ku jemi mungesa e Gjykatës Kushtetuese përbën faktorin kryesor për shkelje të njëpasnjëshme qoftë të Kushtetutës, qoftë të ligjit.
Këto shkelet e Kushtetutës dhe të ligjit ne i kemi rëndomtë kohët e fundit, një amulli ligjore, juridike, mund ta quaj edhe haxhiqamilizëm juridik, duke filluar që nga kthimi mbrapsht i ligjit për dividentin, me efekt prapaveprues. Kemi ligji për kadastrën që është antikushtetues në tërësinë e tij. Unë nuk do të doja që ky të ishte një model që i jepet qytetarit. Ligji është i barabartë për të gjithë, si për politikanin, si për qeverinë, si për parlamentin, si për qytetarin”.
Sonila Bejtja ka sulmuar edhe Vetingun, duke e konsideruar me dy standarde. “Në momentin që shkelet kushtetuta, dhe këtë e kemi parë që me zgjedhjen e prokurores së përgjithshme të përkohshme. Është zgjedhur me një kuorum që nuk ishte ai që duhet të ishte. Flasim për paktën e ligjeve të reformës në drejtësi. Këtu kemi një lloji Vetingu me dy standarde, kemi magjistratë që emërohen prokurorë pa bërë Shkollën e Magjistraturës, kemi ligjin për dividentin që ka efekt prapaveprues, ndërkohë që nuk mund të ketë efekte të tilla”.
Këto qëndrime militanteske konfirmojnë qartë se në cilin krah do të jetë vota e Sonila Bejtja në Gjykatën Kushtetuese, e cila do të shprehet edhe për zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Për këtë çështje, Meta u shpreh tre ditë më parë se “Një Gjykatë Kushtetuese e cila shpall legjitime zgjedhjet e 30 qershorit është e vdekur. Dhe të jeni të sigurt që nuk hapen negociatat. Ato që kanë vendosur zgjedhjet e 30 qershorit si kusht, e dinë fare mirë se çfarë janë zgjedhjet e 30 qershorit. Shqetësimi im për Gjykatën Kushtetuese nuk është kjo çështja, se kjo mund të jetë e partive. Nuk duhet ta reduktojmë fuqinë e Gjykatës Kushtetuese te zgjedhjet, sepse Gjykata Kushtetuese është garante jo vetëm e popullit shqiptar por edhe e shtetit shqiptar”.