Komisioni Evropian miratoi një paketë prej 70 milionë eurosh në kuadrin e Instrumentit për Para-Anëtarësim për të ndihmuar financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat COVID-19 të siguruara nga shtetet anëtare të BE-së.
Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi tha: “Gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar që ne i trajtojmë vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë të privilegjuar.
Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë që në fillim hapa për të mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin e rëndësishëm dhe grupet më të prekshme në rajon. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar për përfundimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”.
Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë për mbulimin e kostos së vaksinave për grupet me përparësi në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme të vaksinimit, thotë KE. Kjo do t’i mundësojë Ballkanit Perëndimor të blejë një numër vaksinash nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjeve të BE-së me gjashtë prodhues, me shtetet anëtare individuale të BE-së që do të ndajnë një pjesë të dozave të tyre të paracaktuara.