Profesor Roland Bejko, njëkohësisht dhe ish-kreu i PD në Gjirokastër ka dalë me një reagim të ndjerë për ndarjen nga jeta të drejtorit të DPSHTRR, Edi Pesha për shkak të koronavirusit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale Bejko shkruan se pavarësisht se ishin kundërshtarë poltik, Pesha dinte ta ndante edhe në debatet më të nxehta se ku mbaronte partiakja dhe ku fillonte qytetaria.
“Lajmi për ndarjen e parakohshme nga kjo jetë për shkak të corona-virusit të Edi Peshës, më hidhëroi shumë.
Pa dyshim, familja humbi njeriun e saj të dashur; të afërmit, birin e tyre; miqtë dhe shokët e tij, një bashkëpunëtor fjalëpak; dhe ne opozitarët, një kundërshtar të denjë politik, plot batuta dhe humor.
Me Edin njiheshim që në fundin e viteve ’80, kur isha student. Qysh me shpalljen e pluralizmit politik dhe rënies së diktaturës komuniste, kemi qenë kundërshtarë politike, por të tillë që edhe në “pikun” e konflikteve të nxehta, ai dinte të ishte luajal dhe i respektueshëm. Ai dinte ta ndante të mirën nga e keqja, ashtu siç dinte të dallonte qartë se ku mbaronte partiakja dhe ku fillonte qytetaria.
Nga sot e përgjithmonë, hapësirës qytetare, do ti mungojë një njeri i mirë, pasionant, dhe një funksionar me vlera. Edi do t’i mungojë Gjirokastrës. Varoshi, Qafa e Pazarit, dhe Turizmi pa të, do duken edhe më bosh seç janë..
Qoftë i paharuar Edi!
Ngushëllime familjes, të afërmve dhe miqve të tij!?”, shkruan Bejko.