Prokuroria e Posaçme ka intensifikuar hetimet për ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të ngelur në veting.
Në maj të këtij viti nis hetimi për rreth 10 emra të shkarkuar nga komisionet e vetingut, ndërsa gazeta ka mësuar se shumica e tyre akuzohet kryesisht për 3 ose më shumë vepra penale.
Nën hetim janë: Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese; Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë; Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese; Xhezair Zaganjori ish-kryetar i Gjykatës së Lartë, etj.
Sipas informacioneve ata po hetohen për disa vepra penale, por 3 për të cilat mund të akuzohen të gjithë janë: “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal; “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.
Mes tyre ka dhe emra që akuzohen për fshehje të të ardhurave apo mospagim të taksave parashikuar nga nenet 180 dhe 181 të Kodit Penal. Baza e akuzave janë 3 veprat e para dhe sipas dënimit të parashikuar në Kodin Penal, secili mund të dënohet deri në 13 vite burg. Kaq është dënimi maksimal. Më konkretisht, shpërdorimi i detyrës dënohet deri në 7 vite burg, ndërsa korrupsioni dhe fshehja e pasurisë me nga 3 vite burg secila.
Pak ditë më parë kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi se viti 2021 do jetë vit i vështirë për të korruptuarit dhe sipas burimeve të gazetës, pritet që të konkretizohen hetimet për ish-gjyqtarët në fjalë.
Detajet e padisë
Hetimet e SPAK nisën pas një padie që bëri avokati Fran Dashi ndaj shumë gjyqtarëve dhe prokurorëve. SPAK nisi hetimet vetëm për ish-anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, pasi për ta ka kompetencë, ndërsa gjyqtarët e thjeshtë po hetohen nga prokuroritë e rretheve.
Në krye të padisë është ish-kryeprokurori Adriatik Llalla edhe pse dosja e tij tani ndodhet në gjykatë. Më pas vjen ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Ky i fundit e kaloi shkallën e parë, por u shkarkua nga Apeli. Sipas KPA, ai nuk justifikon pasurinë. Një shtëpi në Golem i hapi mjaft punë. Ajo ishte në emër të të vëllait, por që dyshimet ishin se ishte e gjyqtarit. Po ashtu dhe deklarimet e tij nga emigracioni nuk përputheshin.
Emër tjetër që po kalon në sitën e SPAK është Tom Ndreca, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë. Ai doli se nuk justifikon të ardhurat dhe se ka pasur kontakte me persona të papërshtatshëm. Një tjetër emër nën hetim është ish-gjyqtari i lartë, Shkëlzen Selimi.
Ajo që e fundosi emrin në fjalë ishin lidhjet e dyshuara me persona me precedentë penalë. Ndërsa ONM publikoi prova dhe për ndikim të tij në mosekstradimin e një personi. Në listë është dhe Gani Dizdari, ish-anëtar i Kushtetueses. Edhe Dizdari u shkarkua që në shkallën e parë dhe Apeli e la në fuqi vendimin.
Sipas dosjes së KPK, pasuria e vajzës i dha goditje gjyqtarit. Padi ka pasur dhe ndaj Xhezair Zaganjorit, ish-kreu i Gjykatës së Lartë. Ai e kaloi me shumë polemika fazën e parë të vetingut, por KPA e shkarkoi. Zaganjori rezulton ndër gjyqtarët me mbi 1 milion euro pasuri.
Disa nga emrat që po hetohen nga SPAK
1. Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm
2. Xhezair Zaganjori, ish-kreu i Gjykatës së Lartë
3. Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese
4. Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë
5. Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë
6. Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese
7. Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë
8. Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë
9. Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese
10. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë
Emrat që po hetohen nga prokuroritë e tjera
1. Fatmir Lushi, sh-prokuror në Prokurorinë e Elbasan
2. Luan Dervishi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër
3. Marina Rraboshta, ish-gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër
4. Petrit Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë Tiranë
5. Besnik Cani, ish-drejtues i Prokurorisë Elbasan
6. Besim Trezhnjeva, ish-gjyqtar Gjykata e Apelit Durrës
7. Arjan Balliu, ish-gjyqtar Gjykata e Apelit Durrës
8. Ferdinad Elezi, ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës
9. Ema Gashi, Gjykata e Rrethit Durrës
10. Besa Nikëhasani, ish-drejtuese e Prokurorisë Apelit Shkodër