Rekomandimi i Komisionit Evropian pak ditë më parë që Shqipëria të hapë negociatat pasohet nga një periudhë dy-mujore, ku deri në qershor politika jonë duhet të punojë fort për të bindur Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian që një herë e mirë të çelen negociatat. Gjatë kësaj kohe duhet të mbizotërojë klima e mirë politike dhe të mos ketë trazira ose përndryshe vendet skeptike i presin “hovin” Shqipërisë.
Mirëpo pavarësisht këtij kushti dhe momentit delikat në të cilin ndodhet vendi ynë, opozita mesa duket nuk ka ndërmend t’i ndalojë sulmet. Pas lirimit të 7 prej protestuesve të Kukësit dhe mbajtjes në burg 4 të tjerëve, dy krerët opozitarë reaguan në rrjetet sociale. Ata komentuan këtë vendim dhe nuk kursyen as sulmet ndaj mazhorancës. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u shpreh në postimin e saj se drejtësia dje tregoi se është vegël e qeverisë.
Ajo përmendi edhe ndërkombëtarët, të cilët sipas saj me raportet e tyre kërkojnë të shpëtojnë kryeministrin Edi Rama nga drejtësia. “Pabesia dhe frika e Edi Ramës vazhdojnë të mbajnë në mënyrë krejtësisht antiligjore në burg protestuesit kuksianë! Asnjë qytetar që ka protestuar për një taksë arbitrare dhe të padrejtë, nuk mund të penalizohet nga një drejtësi, që sot më shumë se kurrë tregoi qartas se është vegël e qeverisë.
Procedurat e ndalimit të protestuesve, mënyra se si u shoqërua dhe gjykimi i politizuar janë tregues i qartë i një pushteti të ri në duart e narkoqeverisë. Asnjë raport ndërkombëtar, asnjë shou në ERTV apo shfaqje “dashurie publike” për të tërhequr vëmendjen nga zullumet, nuk e shpëton dot Edi Ramën dhe qeverinë e narkotrafikut nga revolta e një populli”, tha Monika Kryemadhi.
Kryemadhi mbështet protestuesit
Në vijim të reagimit të saj, kryetarja e LSI shtoi se opozita do të vijojë të mbështesë protestuesit në nismat e tyre. Ajo nënvizoi se arroganca e pushtetit duhet të rrëzohet. “Opozita nuk do të lejojë maskaradën e kryeministrit që po tallet dhe që po luan me jetën e shqiptarëve të pafajshëm, që rëndohen çdo ditë e më shumë nga taksat e oligarkëve dhe burgosen padrejtësisht nga të komanduarit e Edi Ramës. Ne do të jemi në krah të çdo proteste për të liruar kuksianët protestues, që sot janë simboli i qëndresës ndaj arrogancës së pushtetit.
Thirrja e Bashës
Kryefjalë e reagimit të kreut të PD, Lulzim Basha ishte thirrja që ai u drejtoi qytetarëve për protesta. Sipas tij, ditën e djeshme u vendos një drejtësi gjysmake për protestuesit e Rrugës së Kombit, ndërsa shtoi se kriminelët janë të lirë. Më tej, lideri demokrat argumentoi se për këtë arsye i gjithë populli duhet të ngrihet dhe të refuzojë qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. “Vendimi i sotëm për lirimin nga arresti të 7 prej kuksianëve të grabitur nga shtëpitë e tyre me urdhër të Edi Ramës, është arritje e protestës dhe rezistencës së qytetarëve.
Por kjo drejtësi gjysmake është në fakt padrejtësi, sepse 4 kuksianë mbahen në qeli, ndërkohë që trafikanti ndërkombëtar i drogës Sajmir Tahiri është në parlament. Ky është thelbi i regjimit të Edi Ramës: burg për popullin që ngrihet kundër grabitjes, liri për kriminelët që mbajnë Edi Ramën me paratë e drogës dhe vota të blera. Ndaj protesta dhe qëndresa qytetare do të vazhdojë. Nga fati i kësaj beteje varet e ardhmja europiane e Shqipërisë. PD është në krah të njerëzve, është në krah të popullit”, deklaroi Lulzim Basha në rrjetet sociale./SOT