Transparency International thotë në një raport për Ballkanin Perëndimor se politikanët dhe rrjeti i tyre që kontrollojnë vendin, vijojnë të përfitojnë nga korrupsioni dhe pandëshkueshmëria.
Konkretisht për Shqipërinë përmend tenderin për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, duke theksuar se fitues është shpallur një kompani pranë Partisë Socialiste.
Organizata Joqeveritare thotë se kostoja e ndërtimit të rrugës 17 kilometra të gjatë do të jetë 300 milionë euro, dyfishi i asaj që kishte parashikuar qeveria.
Në raport shkruhet se ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, në bashkëpunim me grupe kriminale, është angazhuar në blerje votash dhe frikësim votuesish. Gjithashtu përmend rastin e ish- ministrit, Saimir Tahiri, në përfshirjen me trafikun ndërkombëtar të drogës, si dhe ligjin për lojërat e fatit, për të cilin shkruan se qeveria shqiptare mbështeti grupe kriminale.
Sipas Transparency International, këtoj janë shembuj të qartë të kapjes së shtetit. Ky raport i ditëve te fundit i Transaparency International në fakt kishte si temë pikërisht kapjen e shtetit si fenomen i vendeve të Ballkanit. Sipas raportit në të gjitha këto vende vihet re e njëjta situatë, pra e kapjes së shtetit pak a shumë me të njëjtat forma.