Edmond Budina ka dalë për të protestuar në sheshin “Skënderbej” edhe sot, pavarësisht se në shesh nuk ka dalë më asnjeri.
Budina u shpreh se ndonëse duket se revolta është shuar, ajo do të rikthehet edhe më fuqishëm.
“Dikush e quan profesionale por nuk e kuptoj si mund të jetë profesionale një polici që dhunon. Të tërheqësh zvarrë 25 vjeçarët, ti fusësh në rajone kurse familja nuk ka asnjë dijeni, nuk mund të them që është një polici që i shërben popullit.
Kjo është një polici kriminale siç kanë qenë skuadronet fashiste që i merrnin njerëzit dhe i fusin në rajone e i vrisnin.
Shumëkush që më ankohet për pemën, iu them ‘si nuk ju erdhi keq kur u varrosën në Teatrin Kombëtar kostumet, rekuizitat që ishin pronë publike, ndërtesa, trualli dhe ku do ndërtohen kulla.
Kjo është hipokrizi që shpërblehet dhe blihet nga pushteti. Këta njerëz po e masakrojnë këtë popull. Kjo revoltë mund të duket se është zhdukur, por është kthyer në shtëpi dhe do të shpërthejë edhe më fort”, tha ai.