Sondazhi i zhvilluar nga Report tv dhe Instituti prestigjioz italian Piepoli, i transmetuar gjatë emisionit “Repolitix” nxjerr Partinë Socialiste shumicë në zgjedhjet e 25 prillit. Partia Demokratike është në rritje krahasuar me vitin 2017, ndërsa votat e LSI-së i shkojnë Partisë Socialiste.
Nëse qytetarët do të shkonin të votonin sot 53- 59% e tyre do të votonin Partinë Socialiste që ka një rritje nga zgjedhjet e 2017 kur mori 48,24% të votave. Një rritje që është paralele me rënien drastike që sipas sondazhi shënon LSI krahasuar me 2017: Sot partia e drejtuar nga Monika Kryemadhi do të merrte vetëm 2-4% të votave, ndërsa 4 vite më parë ka marrë 14,28%.
Në rritje është dhe Partia Demokratike që sot do të merrte 30-34% të votave, nga 28,7% që ka marrë në zgjedhjet e 2017-s. Sipas sondazhit Partia Socialiste ka një pëlqim të madh edhe në Tiranë ku mund të arrijë deri ne 60%.
Sipas insititutit Piepoli opinioni publik shqiptar i kalon me nota pozitive veprimet e qeverisë Rama në luftën ndaj COVID-19 dhe për rindërtimin pas tërmetit. Por PS kritikohet nga qytetarët për dialogun jo të mirë me opozitën, ku 66% e të intervistuarve thanë se nuk ka qenë i mirë. Edhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit është votuar nga shumica e të intervistuarve si jo pozitive.
Dixhitalizimi i shërbimeve ndaj qytetarëve është vlerësuar pozitivisht nga të intervistuarit duke marrë pëlqimin e 50% të tyre. Liria e shtypit ka marrë pëlqimin e 49% të qytetarëve kur u pyetën si e gjykojnë qasjen e qeverisë.
Sondazhi ka analizuar edhe qëndrime të opozitës përballë qeverisë. 61 % e të intervistuarve e kanë cilësuar shumë të keqe dhe shumë të dobët këtë qëndrimin, një përqindje që perputhet edhe me rezultatet e votimit gjithmonë sipas sondazhit. Por një nga pikat më të kritikuara të opozitës është djegia e mandateve dhe bojkoti i zgjedhjeve lokale që janë votuar si negative respektivisht me 90 dhe 92%. Dy pika të tjerë që qytetarët e kritikojnë opozitën është dhe alternativa politike dhe raporti me shtypin që janë votuar si jo të mira në masën 78% dhe 66%.
Por si e gjykojnë shqiptarët qëndrimet e presidentit të Republikës Ilir Meta? 66 % e të intervistuarve e gjykojnë të dobët dhe të keqe sjelljen e tij. Dhe 85% e të intervistuarve nuk besojnë se veprimet e Metës bëhen për të mbrojtur kushtetutën ndërkohë që 86% mendojnë se nuk ka mbajtur një rol neutral për të balancuar ndarjen e pushteteve.
Sondazhi ka analizuar edhe pëlqimin e lidershipit politik: Kryeministri Edi Rama kryeson me 49% por ka më pak pëlqim se Partia Socialiste që do votohet nga 58% e shqitarëve. Pas Ramës vjen lidershipi i Lulzim Bashës që vlersohet në masën 23%. Sali Berisha ka vetem 7% e pëlqimit, shumë më pas se Lulzim Basha.
Instituti Piepoli ka intervistuar 500 veta dhe marzhi i gabimit është rreth 4%. Ky sondazh nga instituti italian Piepoli në bashkëpunim me Report TV vjen pas parashikimeve të sakta të rezultateve të 3 proceseve zgjedhore të kaluara të 2013 të 2015 dhe 2017.