Bota sapo përjetoi nëntorin e saj më të nxehtë të regjistruar ndërsa Europa pati vjeshtën e saj më të ngrohtë, sipas një raporti alarmues nga Shërbimi i Ndryshimit të Klimës Copernicus të Bashkimit Europian.
Temperaturat ishin teje të larta në rajone të gjera në të gjithë Europën Veriore, Siberinë dhe Oqeanin Arktik, ku akulli i detit ishte në nivelin e dytë më të ulët të parë ndonjëherë në nëntor.
Shtetet e Bashkuara, Amerika e Jugut, Afrika e Jugut, Pllaja Tibetiane, Antarktida lindore dhe pjesa më e madhe e Australisë gjithashtu panë temperatura shumë mbi mesataren.
Globalisht, nëntori ishte pothuajse 0.8 gradë Celsius (33.4 Fahrenheit) mbi mesataren për 1981-2010, dhe 0.1C (32.2F) më i lartë se vitin e kaluar. Dhe kjo nxehtësi e pazakontë vjen pavarësisht nga efekti ftohës i La Niña.
“Këto të dhëna janë në përputhje me trendin e ngrohjes afatgjatë të klimës globale,” tha Carlo Buontempo, drejtor i Shërbimit të Ndryshimit të Klimës Copernicus në ECMWF.
Ai tha se nëntori ishte “një muaj jashtëzakonisht i ngrohtë” globalisht dhe temperaturat në Arktik dhe Siberinë Veriore mbetën vazhdimisht të larta ndërsa akulli i detit ishte afër shtrirjes më të ulët.
“Kjo prirje është shqetësuese dhe thekson rëndësinë e monitorimit gjithëpërfshirës të Arktikut, pasi ajo po ngroh më shpejt se pjesa tjetër e botës,” shtoi ai.
Buontempo tha se politikëbërësit që i japin përparësi zbutjes së rreziqeve klimatike “duhet t’i shohin këto regjistra si këmbana alarmi” dhe të mendojnë më seriozisht se kurrë se si të përputhen më mirë me Marrëveshjen e Parisit 2015. (CNN)