Një tjetër emër legjendar i sportit shqiptar ka humbur jetën nga koronavirusi.
Ilir Gjebrea, ish-notar, i konsideruar si “peshkaqeni” në rininë e tij, nuk ka arritur të fitonte betejën me koronavirusin.
Gjebrea është ndarë nga jeta ditën e djeshme. Prej disa ditësh sportisti veteran kurohej pas infektimit me koronavirus, ndërsa ka humbur jetën në banesën e tij në Tiranë.
“Peshkaqeni ynë, Gjiganti, daja im i shtrenjtë, si munde ta bëje këtë o Kampioni Ilir Gjebrea të mos luftoje me Covidin, kur ti e mushkëria jote, zemra e madhe, luftoi e mori rekorde dhe dhjetëra medalje?
Me ty që u rrita duke dëgjuar historitë e notit, çunave të liqenit, të medaljeve që i mbaje ne kavanozë…ti që mbaje në këmbë gjithë lagjen…historitë e tua te pafundme që i dinte gjithë Shqipëria…nuk di sa mund të shkruhet për ty…e mua nuk më besohet se po shkruaj për atë dajën tim, legjendën, mbi këtë fotografi të fundme…”, shkruan gazetari Edmond Prifti, nipi i ish-notarit të njohur.