Ndarja e parakoshhme nga jeta e presidentit dhe themeluesit të Fax Media News, z. Kasem Hysenbelli ka tronditur median, ndërsa menjëherë pas këtij lajmi të hidhur kanë reaguar dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta si dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
“Tronditës dhe i pabesueshëm lajmi për humbjen e parakohëshme nga jeta të Kasem Hysenbelliu, Presidentit të “Fax News”, kësaj media të lirë, të pavarur e dinjitoze.
Në këto momente të vështira jam pranë nënës, bashkëshortes, fëmijëve, familjarëve, miqve, kolegëve e gazetarëve dhe ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të pazëvendësueshme.
Solidaritet me të gjithë gazetarët e “Fax News” dhe Faxweb.al, të cilët i inkurajoj të vazhdojnë misionin dhe ëndrrën e lënë përgjysmë nga Presidenti Hysenbelliu, për të ndërtuar një media të lirë, zëri i çdo qytetari në nevojë dhe çdo kauze sociale, zëdhënëse e pakompromis e opinionit publik.
I paharruar kujtimi i Kasem Hysenbelliut!
U prehsh në paqen e merituar!”, shkruan presidenti Meta, ndërsa dhjetëra e dhjetëra mesazhe ngushëllimi kanë mbërritur në redaksinë e Faxweb dhe Fax News tv.
“Jam i hidhëruar nga lajmi tonditës për ndarjen nga jeta të Kasem Hysenbelliut, një qytetar i angazhuar dhe luftëtar i medias së lirë.
Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Hysenbelliu për këtë humbje të rëndë! Lutjet dhe mendimet e mia janë sot me ta, si dhe me miqtë, kolegët dhe ekipin e televizionit Fax News.
Për ne që e kemi njohur personalisht, Kasemi do të mbetet shembulli i njeriut kurajoz, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë dhe një përkrahës i të drejtës dhe të vërtetës.
Ai do të kujtohet si një ndër kontributorët e spikatur në fushën e medias, themelues dhe president i televizionit Fax News, administrator i gazetës më të madhe në vend “Panorama” dhe i televizionit “News24″.
Trishtimi dhe dhimbja janë të mëdha për këtë humbje tragjike. U prehtë në paqe!”, shkruan Lulzim Basha, ndërsa për humbjen e një prej sipërmarrësve më të guximshëm në median shqiptare.