Deklarata e kancelares gjermane, Angela Merkel se ishte e pabindur për arritjet dhe detyrat e Shqipërisë për hapjen e negociatave, shkaktoi reagime të shumta në politikën shqiptare. Por lidhur me këtë çështje, ditën e djeshme ka reaguar edhe avokati Spartak Ngjela.
Gjatë një intervistë për media, avokat Ngjela u shpreh se negociatat me Bashkimin Europian do të hapen vetëm kur të nisë lufta kundër korrupsionit. Po ashtu, ai theksoi se duhet të fillojë lufta kundër korrupsionit, gjë e cila sipas tij, do të sjellë hapjen e negociatave.
“Nuk janë përmbushur të gjitha detyrat, nuk ka filluar lufta kundër korrupsionit. Të hapësh negociatat me BE duhet të fillojë investimi i nivelit të gjerë. Si mendoni ju, me këtë korrupsion BE do të investojë që paratë t’i fusin në xhep të korruptuarit? E gjithë çështja është se këtu nuk ka filluar lufta antikorrupsion në nivele të larta, kjo është “Thembra e Akilit”.
Nëse kjo nuk ndodh, asnjëherë nuk do të jemi afër Europës. Shkaku është niveli i lartë i korrupsionit dhe mospërfundimi i reformës në drejtësi. Këtu nuk mund të fillojë investimi i BE, kur ata e dinë që këtu 90% e klasës politike është e korruptuar. Le të fillojë lufta kundër korrupsionit në nivele të larta nëpërmjet Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme dhe do të shikoni që negociatat do të hapen menjëherë.
BE e pësoi me Rumaninë dhe u pendua”, u shpreh Ngjela. Më tej, Ngjela theksoi se ka informacione që amerikanët kanë gjetur edhe shuma të mëdha parash në kompani “offshore” të politikanëve shqiptarë dhe faktet do të dalin nëse ata nuk do të tërhiqen. “Në rast se klasa e lartë politike e korruptuar në të vetën nuk tërhiqet, nuk ngelet gjë tjetër për politikën amerikane për t’iu hapur faktet.
Duhet të kemi parasysh që fakti është kryesori që shqetëson opinionin publik në Shqipëri. Unë mendoj se politika perëndimore do të shkojë edhe këtu. Do të hapin letrat, i kanë të gjitha faktet e korrupsionit shqiptar. Sipas informacioneve që kam unë, u kanë gjetur edhe shuma të mëdha parash në kompani “offshore””, tha ai.
Sakaq, Ngjela u shpreh se deri para 25 prillit, kur janë parashikuar të mbahen zgjedhjet do të ketë lëvizje të rëndësishme. “Nuk mendoj se këta do të lihen deri në zgjedhje. Nëse këta shkojnë në zgjedhje pa goditjen penale të antikorrupsionit, Shqipëria shkon drejt degradimit. Gjendja e rëndë ekonomike në Shqipëri është pasojë e klasës politike”, tha ai.