Në këto ditë pandemie po dëgjojmë shumë gjëra që kanë lidhje me politikën që ne brezit të “pjekur” të gazetarisë po na duken shumë të çuditshme.
Jo se ka ndonjë kontestim ndaj gazetarëve të rinj të cilët në këto kushte të vështira po përballojnë një punë shumë voluminoze dhe vërtetë në pozicione ekstremisht të vështira.
Por na bën përshtypje që politikanët tanë që janë një krye të partive të mëdha ose në lidershipin e këtyre partive, mesazhet e tyre në rikujtim të së kaluarës politike e kanë bërë të udhës t’i shfaqin ose përballë një paneli me gazetarë të rinj apo me analistë që janë burrëruar dhe janë bërë me fëmijë, pastaj kanë kapur “banaqet” televizive! Ose me një panel gazetarësh të mirë-instruktuar.
Përshtypja na bëri rasti më i fundit kur Monika Kryemadhi, kryetare e LSI përsëriti për herë të “n”-të se Ilir Meta është fajtori më i madh që ka sjellë në politikën shqiptare Edi Ramën, kreun aktual të PS dhe të qeverisë shqiptare.
E ka thënë shpesh se “Likja ka mendimin e tij të ngjitjen e Ramës në politikë, e ka ndihmuar dhe tashmë e bëri dhe kryeministër dhe na e la peshqesh ne shqiptarëve”.
Madje e tha dhe një natë më parë në një emision televiziv, teksa nënvizoi se “dëgjuam Ilir Metën votuam Edi Ramën dhe ja ku është vendi sot. Unë betejën nuk e kam me Edi Ramën. Për mua Edi Rama është një qënie njerëzorë që u gjend në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Gabimi ishte i yni që e lamë Edi Ramën të ishte në krye dhe të merrte ato vendime”!
Duke i “vrarë” barkun dhe Monikës, e cila kur merrte pjesë në fushatat e Edi Ramës për kryetar bashkie, i mbahej nga fryma prej emocioneve që i sillte artikulimi i saktë, ngjitës dhe shqip i kryeministrit aktual.
E ka thënë vetë ketë dhe nëse do të dëshirojë ta kujtojë Monika Kryemadhi apo çdokush mund të hyjë në motorin e kërkimit “google” dhe ta gjejë me zë dhe figurë. Ka disa video aty.
Për hir të së vërtetës nëse ka vërtetë një “fajtor” për hyrjen e Ilir Metës, Pandeli Majkos, Edi Ramës, Shpëtim Idrizit, Agron Dukës dhe shumë të tjerëve, në politikën aktive shqiptare, ai është as më pak dhe as më shumë por vetë lideri historik i PS, Fatos Nano.
Dhe për të bërë një “bilanc” të shpejtë të ndihmës së Nanos për politikanët e rinj shqiptarë mund ta fillojmë me vetë Ilir Metën, karrierën e tij politike nga viti 1991 deri më sot.
Ishte në takim me Ramiz Alinë dhe për hir të konfiguracionit gjeografik të dërgatës së studentëve dhe të pedagogëve u gjend dhe Ilir Meta në takim. Qëndroi aty, bëri foto dhe në fund të herës përfundoi në dyert e PS, duke qënë në krye të grupit nismëtar të FRESSH. I mbështeti Nano!
Në krye të këtij organizmi rinor ishte Ilir Zela, i pasuar nga Pandeli Majko. Vetëm në vitin 1995, pasi ia “futën” Majkos duke futur për herë të parë vjedhjen e votave në të majtën shqiptare, Ilir Meta u bë kryetar i FRESSH.
Theksojmë, zgjedhjet ishin vjedhur para se të vendoste Meta të kandidonte. Kush e mban mend klubin e Lush Përpalit përballë ish ministrisë së Mbrojtjes dhe lokalin “Artisti” afër PS, mund t’ju themi se aty u vodh Pandeliu. Dita e zgjedhjeve ishte thjeshtë epilogu!
Pra Meta u emërua në krye të FRESSH, të cilën e bëri organizatë familjare, duke u pasuar kohë më pas nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi. Ka kontribute do të thotë dikush.
Edhe Nexhmije Hoxha ka qënë veprimtare komuniste, ka qënë në luftë kundër fashizmit, por kur u martua me Enver Hoxhën, shkoi deri kryetare e Frontit Demokratik apo drejtore e Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste dhe askund tjetër.
Nuk e linte Enveri, pavarësisht se ishte e zgjuar sa të gjitha gratë e Byrosë Politike dhe KQ të PPSH bashkë. Ilir Meta nuk pyeti në këtë drejtim, gruan e ka gjithnjë pasardhëse në postet ku ka qënë vetë. Partiake themi!
Në vitin 1992 kandidon në Skrapar dhe fiton, pasi ajo zonë ishte neto kundër PD e Sali Berishës. Për hir të konjukturave, zërat thonë se ka pasur që atëherë “aleanca fluide” mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, i cili u kërcënua me burg për shkak të përplasjes në Poliçan- njeri është dhe ai, Fatos Nano kryetar i PS u burgos. Madje u dënua dy herë.
Ilir Meta emërohet njëri nga 4 nënkryetarët e PS dhe sekretar i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në këtë parti. Ideja e Fatos Nanos ishte që, meqënëse PS mbarte dhe trashëgiminë e PPSH, “loja” me të riun eurosocialist Ilir Meta do të sillte benefice për Partinë Socialiste tek ndërkombëtarët.
Ishin kohë të vështira atëherë dhe nuk diskutohej si sot, kur quhet dhunë ndaj medias një padi për një lajm të dhënë, të cilin e zgjidh gjykata mirë apo keq, apo batutat e Ramës dhe mospërgjigjiet dhe akuzat e Bashës nëpër konferenca shtypi dhe emisione televizive. Asokohe në lojë ishte jeta!
Pas vjedhjes së zgjedhjeve më 26 maj 1996 nga Berisha, Fatos Nano shkaterron “kuartetin” drejtues të nënkryetarëve, mes të cilëve largon dhe Ilir Metën i nënkryetare të PS dhe sekretar të marrëdhënieve ndërkombëtare të kësaj partie. Por Meta mban me dhunë postin e kreut të FRESSH, e cila ishte kthyer në një organizatë familjare e tij.
Pas daljes nga burgu të Fatos Nanos, dhe fitores së zgjedhjeve parlamentare të korrikut 1997, Ilir Meta ishte tërësisht në periferi të politikës së PS dhe i paafruar me pushtetin.
Gazetarëve me përvojë mund t’ju kujtohet mirë ajo periudhë e vështirë për Ilir Metën, kur ishte Fatos Nano ai që i “ngjiti” dorën duke e emëruar kryetar të PS të qytetit të Tiranës.
Ka qënë proverbial qëndrimi i Nanos, i cili ishte në radhët e para të delegatëve në sallën e TOB, po votoheshin strukturat e forumet e PS të Tiranës, kur kërkoi Kryemadhin dhe i thotë “thirre atë kokëlopën se do ta bëj kryetar i partisë në kryeqytet, pa rrethin”.
Monika nuk e harron këtë moment, i cili shënoi dhe bazën e ringritjes së Ilir Metës! Dhe të saj!
Vërtetë Meta qëndroi nga viti 1997 deri më 1998 kryetar i PS Tiranë, dhe për pasojë mori dhe një “post të vogël” në ministrinë e Jashtme si sekretar shteti për këtë ministri. Pra emërime!
Në vitin 1998 kërkoi që të garonte i sigurtë përballë Gramoz Ruçit për postin e sekretarit Organizativ të PS, kërkoi nga Nano që ta mbështeste kundër “dinosaurit që s’dihet pse u kthye nga Greqia ku kishte ikur me fustan”, Gramoz Ruçi, por Nano këtë radhë respektoi statutin: Hyr në votim. Meta humbi. Madje s’e përzgjodhen as te marrëdhëniet me publikun, zgjodh IlirZela.
Do të vinte dhe radha e Metës për të qënë zv.kryeministër nën qeverinë e Pandeli Majkos, pas rënies së qeverisë “Nano” si pasojë e grushtit të dështuar të shtetit të Sali Berishës më 2008.
Menjëherë filluan flirtet mes dyshes Majko-Meta dhe Berishës, që solli dhe acarimin e ish kreut socialist Fatos Nano, duke bërë që në kongresin e radhës të PS të garonte për postin e kryetarit.
Nano më se njëherë ka thënë se kërkonte “elefantin” Ilir Meta përballë, por Likja u tërhoq dhe pëerballë Nanos kandidoi kryeministri i atëhershëm dhe sekretar i Përgjithshëm i PS, Pandeli Majko. Meta mbështeti Majkon pa guxuar të kandidojë vetë.
Në 5 të mëngjesit shpallet fitorja e Nanos mbi Majkon për kreun e PS, me 38 vota diferencë. Nano mori dhe shumicën në KPD, ndërkohë që Ilir Meta e cilësoi zgjedhjen e Fatos Nanos një grusht shteti brenda PS.
Në mbrëmje vonë, kreu i sapozgjedhur i PS Fatos Nano dërgoi tek presidenti i atëhershëm Rexhep Meidani emrin e Ilir Metës si kryeministri i mandatuar për krijimin e qeverisë së re. Meta e pranoi për “hir të interesave të larta të kombit shqiptar”. Ndërsa Majko u zhgënjye, dhe jo për herë të parë.
E vetmja garë që bëri brenda PS dhe fitoi ishte ajo e paszgjedhjeve të vitit 2001, në KPD përballë Arben Malajt për postin e kryeministrit, ku anëtarët e këtij forumi u blenë nga Ilir Meta dhe e “mundi” Malajn. U bë kryemninistër dhe zgjodhi ministra njerëzit e tij, ata që më vonë do të bëheshin dhe bërthama e partisë së re që do të krijonte dy vite më vonë, LSI.
Që në mos hyjmë më tepër në histori, “katharsisi” i Nanos rreëzoi Metën në janar 2002. Ai deshi të merrte dhe partinë dhe të eleminonte Fatos Nanon fare nga politika, nuk harrohen posterat në selinë e PS dhe rrotull saj të “debatikësve” të FRESSH që shkruan “Llaçi duhet te largohet, mjaft më me Nanon, që ka uzurpuar partinë”!
Ilir Meta iku si kryetar i qeverisë dhe në vend të tij u caktua Pandeli Majko, për ta lënë gjashtë muaj më vonë dhe për t’i liruar vendin Fatos Nanos si kryeministër. Ilir Meta ishte sërish numri dy i qeverisë dhe ministër i Jashtëm.
Do të vinte viti 2003 dhe përplasjet mes Metës dhe Nanos do të arrinin pikën më të lartë. Nano më se njëherë e ftoi që të garonte përballë tij për postin e kryetarit të PS, ta bënte njëherë në jetën e vet një luftë ballë përballë siç thoshte ish lideri socialist.
Por në vend që të kandidonte Ilir Meta, ishte një i ri në PS, kryetari i bashkisë Edi Rama ai që garoi përballë Fatos Nano.
Fatos Nano u rizgjodh kryetar i PS-së me 456 vota. Sfidantët e rinj Rama e Meidani morën përkatësisht nga 41 dhe 61 vota. Edi Rama, ishte kandidati që u përball me Nanon në çdo takim me bazën e partisë në rrethe, madje ishte shumë i ashpër dhe në kongres.
Ilir Meta e mbështeti Edi Ramën, jo se kishte ndonjë afeksion për të, por për ta përdorur kundër Fatos Nanos.
Edi Rama kishte lënë gjumë me batutat e tij duke e cilësuar kreun e PS “Robert Çamçakëzi”, por ai po luftonte për karrierën e vet dhe jo për t’i shërbyer Metës. I cili duke qëndruar pas kulisave mbeti jashtë forumeve drejtuese të PS dhe për pasojë krijoi LSI-në.
Që ndihmoi në zgjedhjet e vitit 2005 në humbjen e PS dhe të Fatos Nanos, por që më vonë hapi dhe rrugën e ngjitjes së Edi Ramës në krye të PS. Gjithnjë duke kandiduar Rama. Fitoi me 100 vota më tepër se Rexhep Meidani në kongresin e vjeshtës së vitit 2005.
Ilir Meta dhe sot e kësaj dite e ‘qan” ngutjen për t’u larguar nga PS, pasi e mendon akoma dhe sot se mund të kishte kapur postin e kryetarit të partisë pas humbjes e dorëheqjes së Nanos. Por fati favorizon gjithnjë guximtarët dhe jo kulisat, Edi Rama, guxoi e u përball, humbi por dhe fitoi.
Nuk pati ndihmë nga Meta për këtë qëllim Rama, që të deklarojë Kryemadhi se janë gabimet e burrit të saj që e mbështeti Ramën. Kryeministri aktual vërtet bëri katër vite në opozitë për shkak të koalicionit të Metës me Berishën.
Por asnjëherë nuk e kemi dëgjuar Monika Kryemadhin të thotë pas zgjedhjeve të vitit 2009 e deri më tani se: Faji i Likes që ndihmoi Berishën të bëhej kryeministër për një mandat të dytë.
Nq zgjedhjet e vitit 2013 Berisha e kishte marrë rrokullimen, dhe sipas përllogaritjeve të matematikanit socialdemokrat Skënder Gjinushi, Rama bashkë me aleatët e majtë pa LSI do të kishte marrë mbi 80 mandate deputeti.
Pra Ilir Meta nuk ka asnjë meritë se ndihmoi Ramën të bëhet kryeministër, por sepse nuhati mbytjen e “anijes” qeverisëse të Berishës.
Pjesa tjetër është histori. Meta ka fituar dhe ndaj Shezai Rrokajt për kryetar të LSI, dhe ndaj Përparim Spahiut, ndërsa Monjika i hoqi fare këto kandidatura, duke i cilësuar kukulla.
E bëmë këtë rezyme për të treguar se Ilir Meta kurrë në jetën e tij nuk ka fituar në përballjet në PS dhe në parti, vetëm është emëruar dhe vetëshpallur. Këtu gabon Monika Kryemadhi, dhe gabon me qëllim!/M.Nikaj-TemA