Ndërkohë që Monika Kryemadhi po mundohet herë duke qarë e herë duke bërtitur që ti mbushë mendjen popullit që të dalë në protestë, nga ana tjetër po i avullojnë deputetët duke e braktisur LSI.
Sot, opozita braktisi sërish seancën e Kuvendit, një ditë pasi Federica Mogherini i solli Tiranës lajmin e mirë të hapjes së negociatave me BE-në.
Por duket se bojkoti ka brenda një tjetër bojkot. Kësaj nisme nuk i është bashkuar një deputet i LSI-së.
Deputeti i Monikës, Robert Bitri, ishte i vemti nga radhët e partisë së Monika Kryemadhit që nuk është larguar.
I pyetur nga mediat, Bitri tha se nuk e ka frikën e vendimit të grupit të LSI, nëse e përjashtojnë, por kjo nuk do të thotë se ai do të kalojë me PS.
‘Sepse mendoj që duhet të qëndroja sot, ditën e integrimit. Nuk i bashkohem PS. Qëndrova se kështu e mendoj unë, është e drejta ime, kam folur me kryetaren, nuk i trembem asnjë vendimit të grupit të LSI’-tha Bitri.
Bitri e kishte shkelur edhe më 3 prill vendimin e LSI për të braktisur komisionet parlamentare, në kuadër të mosbindjes civile të nxitur nga opozita.
Bitri asokohe u shpreh se nuk e kishte respektuar një vendim të tillë që vinte nga Lulzim basha, pasi ai nuk ishte kryetari i partisë së tij.
Mosbindja e deputetit ndaj partisë së tij, vjen në një moment kur LSI-së i është hapur një plagë e thellë në të gjithë vendin nga dezertimet e shumë këshilltarëve bashkiakë, që kanë kaluar në radhët e PS.