Ish-prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla ka dështuar në luftën e pastrimit të parave. Gazeta ka siguruar të dhënat e raportit të prokurorisë për 2017, ku rezulton se nuk ka pasur përmirësim në goditjen e të korruptuarve. Në raport thuhet se ILDKPI ka referuar në prokurori gjatë vitit shumë vepra penale për korrupsion, por ka rezultuar se nuk janë hetuar nga ky institucion. “Rezulton se jo të gjitha materialet referuese të dërguara nga ILDKPKI-ja dërgohen për gjykim, nuk relatohet numri i të pandehurve dërguar për gjykim dhe i atyre që organi i prokurorisë ka kërkuar dënimin, ndërkohë që për vitin 2017 është rekomanduar rritje e numrit të çështjeve të dërguara për gjykim dhe rritje e numrit të të pandehurve të dënuar me vendim të formës së prerë.
Nga të dhënat statistikore dërguar pranë Ministrisë së Drejtësisë nga organi i prokurorisë për vitin 2017 rezulton një situatë e tillë: janë regjistruar 1578 procedime penale për veprat penale në fushën e korrupsionit, me një numër total prej 398 personash nën hetim dhe janë marrë të pandehur 332 persona. Rezulton se ka një rritje të vogël të numrit të çështjeve të regjistruara me 52 çështje më tepër, por rezulton ulje e numrit të personave nën hetim krahasuar me vitin e kaluar”, thuhet në një raport të publikuar nga qeveria sa i takon realizimit të rekomandimeve të saj nga prokuroria për vitin 2017.
Po ashtu në raport, thuhet se prokuroria gjatë kohës që është drejtuar nga Llalla ka dështuar në luftën ndaj korrupsionit, pasi numri i çështjeve të dërguara për gjykim dhe i të dënuarve mbetet ende i vogël. “Rezulton se për vitin 2017 janë dërguar për gjykim vetëm 260 procedime penale ose rreth 16,5% të rasteve, me 315 të pandehur, krahasuar me vitin 2016, është numër më i lartë çështjesh, por numër më i ulët të pandehurish. Për vitin 2017 ka përfunduar gjykimi për 258 çështje penale (për veprat penale kundër korrupsionit) me një numër prej 337 të pandehurish, nga të janë dënuar 240 persona, krahasuar me vitin 2016ka rritje të numrit me tre më tepër.Megjithatë, numri i çështjeve të dërguara për gjykim dhe i të dënuarve mbetet ende i vogël”, thuhet në raport.
Llalla përplaset me ILDKPI dhe DPPPP
Por përveç dështimit me luftën ndaj korrupsionit në nivel zyrtarësh, Prokuroria e Përgjithshme gjatë kohë që drejtohej nga Adriatik Llalla ka pasur përplasje edhe me ILDKPI-në dhe Drejtorinë e Pastrimit të Parave. Në raport nënvizohet fakti se pavarësisht se drejtoria e Pastrimit të Parave në kuadër të luftës ndaj korrupsionit ka referuar në prokurori 55 raste për hetim, ku 13 prej tyre janë politikanë të nivelit të lartë, por nga ana e institucionit të akuzës rezulton se janë bërë hetime për vetëm 3 zyrtarë të lartë.
Sipas raportit, është shqetësues fakti që prokuroria nuk ka hetuar pasurinë e zyrtarëve të lartë, edhe pse institucionet financiare në vend kanë insistuar që politikanët në fjalë duhet të ndiqen penalisht. “Nga të dhënat statistikore të dërguara nga organi i prokurorisë 55 rezulton se nga totali i çështjeve të filluara kryesisht për pastrimin e parave rezulton po i njëjti numër 3, por ndryshe nga viti 2016, 1 çështje është për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, neni 287/1 i Kodit Penal dhe 2 çështje për veprën penale “Përvetësimi i parave ose i mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, neni 287/b i Kodit Penal56.
Pra mbetet një numër i vogël hetimesh pasurore që lidhen me veprën penale të korrupsionit, ndërkohë që për vitin 2017 është rekomanduar rritje e numrit të hetimeve proaktive dhe rritje e numrit dhe të cilësisë së hetimeve sidomos të rasteve të zyrtarëve të lartë publikë”, thuhet në raport./ SOT