Euforia e opozitës për mosbindje civile duket se ka marrë fund. Ndonëse shumë politikanë të ndryshëm si nga radhët e LSI ashtu dhe të PD vijonin të këmbëngulnin për ashpërsim të protestave kundrejt qeverisë, pretendimet e tyre janë hedhur përfundimisht poshtë. Në kuadër të vendimit të Komisionit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, Brukseli i ka prerë përfundimisht euforinë e deritanishme opozitës.
Pas takimit që shefja e Politikës së Jashtme në BE, Federica Mogherini zhvilloi dje me përfaqësues të Partisë Demokratike dhe asaj të LSI, këta të fundit gjatë një deklarate për mediat teksa dhanë detaje nga takimi, lanë të nënkuptohet se aksionit të protestave i ka ardhur fundi. Ishte fillimisht nënkryetari i PD, Edi Paloka, i cili teksa u pyet nga gazetarët për ecurinë e protestave, deklaroi se qeveria duhet të lirojë si fillim protestuesit kuksianë.
“Sot ne kemi në burg 11 qytetarë të pafajshëm të cilët janë arrestuar në kundërshtim të drejtave njeriut dhe ligjit kështu që hapi i parë që duhet të ndërmarrë qeveria dhe Rama është lirimi i tyre. Kjo ishte një nga kërkesat edhe të zonjës Mogherini e cila foli për bashkëpunim mes opozitës dhe mazhorancës. Prandaj unë po e them këtu, hapi i parë që duhet ndërmarrë nga Edi Rama duke liruar kuksianët që janë të pafajshëm në burg”, deklaroi Paloka.
Ndërkohë të njëjtës linjë si Paloka i qëndroi edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, e cila i bëri apel kryeministrit që të largohet nga arroganca e tij në mënyrë që të bashkëpunojë me opozitën. “Dua të them atë çka ka bërë opozita, ka kaluar çdo limit të bashkëpunimit të saj me z. Rama duke filluar që në prezencën e saj në parlament duke vazhduar dhe i ngritur çdo ditë e më shumë duke ia dhënë mundësinë z. Rama për të reflektuar por mesa duket i vetmi njeri këtu që nuk ka më ngjyrat kuqezi është z. Rama se shqiptarët dhe gjithë ata deputetë dhe opozita të cilët duan të veshin ngjyrën kuqezi këtu e kanë veshur. Në qoftë se ka njeri këtu që nuk mban më ngjyrën kuqezi është Edi Rama”, tha Kryemadhi.
Basha refuzon sërish takimin me Ramën
Kreu demokrat Lulzim Basha pas kthimit nga Gjermania dhe takimit të shkurtër që pati dje me Federica Mogherinin në Rinas, zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët në lidhje me çështjen e negociatave. Duke u ndalur tek ftesa e kryeministrit Edi Rama për bashkim në lidhje me negociatat, Basha nuk nguroi ta refuzonte. Ai deklaroi se këto ftesa janë fjalë boshe pasi qeveria vijon të jetë e përfshirë nga kanabisi dhe kokainë. “Rama është i interesuar të bëjë makijazh, më vjen keq që pa ardhur këtu dalin deklaratat e zyrtarit gjerman, BE nuk është ERTV.
Sot mora përgjegjësitë e mira që opozita të bëjë gjitha për kriteret. Ftesa e Ramës? Këto janë fjalë boshe, Edi Rama dhe ekipi i tij nuk kanë fanella kuqezi, fanella e tyre ishte jeshile, tani jeshile me të bardha, kanabis dhe kokainë. Ndaj ajo që kërkoj është që të marrë përgjegjësitë”, tha Basha. Më tej, kreu demokrat dha detaje edhe mbi takimet e zhvilluara në Berlin. Ai tha se gjatë këtyre takimeve PD kërkoi votën pro për çeljen e negociatave pavarësisht skepticizmit të shfaqur nga Gjermania. “Kërkuam votën pro për çeljen e negociatave. Rekomandimi pozitiv është ftesa për tu futur në oborrin e BE-së. Por derën nuk e hap rekomandimi por vendet anëtare të BE-së.
Hapja e negociatave është proces i gjatë. Bëhet fjalë për 35 negociata, dy e nga dy çdo vit. Na pret një punë e gjatë dhe voluminoze të arrijmë këto standarde. Vetë hapja e kapitujve është proces i mundimshëm politik. Sot nuk është dita për të festuar por për të punuar. Dhe opozita dhe unë kemi nisur punën pikërisht në Gjermani. Kërkesa ime ka qenë e qartë Shqipërisë ti hapen negociatat. Në dialogun me palën gjermane kemi hasur skepticizëm e pesimizëm”, u shpreh Basha./ SOT