Një e ashtuquajtur “garë armësh” mes grupeve kriminale në Europë mund t’ua lehtësojë terroristëve sigurimin e armëve ushtarake të fuqishme të zjarrit, paralajmëron një raport i Komisionit Europian.
Studimi i tij tregon se, pengesat afatgjata për të shtënë në duar armë të tilla janë shembur vitet e fundit për shkak të internetit, kontrabandës ndërkufitare të pushkëve gjysmëautomatike në BE dhe riaktivizimit të gjerë të armëve – që ishin bërë të papërdorshme, – për t’iu shitur koleksionistëve.
Vitet e fundit, sulmet ekstremiste në Francë, Belgjikë, Danimarkë, Suedi e gjetkë kanë përfshirë që të gjitha armë zjarri. Në Mbretërinë e Bashkuar, forcat policore dhe shërbimet e sigurisë kanë arritur të shmangin një sërë komplotesh, ku armë të tilla ishin gjithashtu të pranishme.
Militantët e Shtetit Islamik përdorën armë automatike dhe bomba për të vrarë më shumë se 130 vetë në Paris nëntorin e vitit 2015. Armët e zjarrit nuk munguan as në mësymjen e një muzeu në Bruksel, atë të revistës satirike “Charlie Hebdo” dhe një supermarket në kryeqytetin francez 3 vite më parë, apo edhe shënjestrimin e disa ushtarëve jashtë detyrës në jugperëndim të Francës në vitin 2012.
Raporti nënvizon se, në Paris u përdorën armë zjarri, kryesisht kallashnikovë dhe pistoleta të blera nga burime kriminale brenda Europës. Dy tendenca shqetësojnë veçanërisht kërkuesit: përdorimi i armëve të zjarrit për kriminelët e nivelit të ulët në disa shtete anëtare të BE-së, sidomos në Europën Perëndimore, dhe afrimi në rritje i ekstremistëve islamikë me botën e krimit ./Top Channel