Partia Socialiste duket e vendosur për të izoluar presidentin Ilir Meta dhe shkërmoqur Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Meta kohët e fundit është zhveshur totalisht nga kostumi i kreut të shtetit, ndërsa ka shtuar dozën e sulmeve dhe akuzave në adresë të mazhorancës socialiste.
Por kjo strategji e Metës duket se nuk do të tolerohet nga socialistët, të cilët janë mobilizuar për “luftë frontale” me të. Ditën e djeshme është mbledhur grupi parlamentar socialist nën drejtimin e kreut të tij, deputetit Taulant Balla, ndërkohë që gazeta ka mësuar se ky i fundit është shfaqur i vendosur për të mos e toleruar Metën.
Sipas informacioneve, mësohet se Balla ka akuzuar kreun e shtetit se po bën fushatë të fshehtë në terren për LSI sa i takon zgjedhjeve të 25 prillit, nga frika se kjo parti po shkrihet dhe ai kërkon që ta mbajë më këmbë. Kështu që i ndodhur përpara kësaj situate, zoti Balla ka porositur vartësit e tij që të jenë vigjilentë dhe në çdo takim me strukturat duhet të mos tolerojnë Presidentin.
Sipas tij, ai ka dalë nga shinat dhe është kthyer në njëpartiak dhe është në kaos nga frika e shkrirjes së partisë së tij. Në këtë kontekst, numri 2 i Partisë Socialiste ka kërkuar nga deputetët që të përshpejtohet ligji organik që do t’i rrudhë kompetencat Metës, duke nisur sa më parë diskutimet në komisionet parlamentare. Ligji akoma nuk është depozituar në Kuvend dhe Balla ka kërkuar nga deputetët hartues që të mos e vonojnë më.
Madje, sikundër theksuan të njëjtët burime, zoti Balla është shprehur para grupit parlamentare se kreu i shtetit e ka mbushur kupën dhe nuk do të lihet më të livadhisë, ku sipas tij, një mënyrë e mirë dhe e dobishme është pikërisht ligji i ri për Presidentin e Republikës, që për socialistët shihet si një fre për Metën.
LSI duhet të shkrihet më 25 qershor
Por izolimi i presidentit Ilir Meta përmes ligjit organik nuk ishte e vetmja çështje që është diskutuar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, pasi një vëmendje i është kushtuar edhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gazeta ka mësuar se kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka kërkuar nga deputetët që të mobilizohen për të shkrirë LSI.
Po si mund të shkrihet LSI? Për këtë Balla ka një përgjigje, të cilën u ka zbuluar deputetëve. Mësohet se zoti Balla ka kërkuar nga të gjithë që në çdo takim që do të zhvillojnë me bazën, strukturat dhe qytetarët në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021 të sulmojnë Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke ua bërë të qartë të gjithëve se kjo parti nuk do të marrë asnjë votë në këto zgjedhje.
Po ashtu, mësohet se shefi i grupit të Partisë Socialiste ka kërkuar nga deputetët socialistë që në takimet që do të zhvillojnë të informojnë qytetarët se situata në spitale për shkak të pandemisë së Covid-19 nuk është e mjerueshëm dhe në kaos ashtu siç e servir PD dhe LSI, por është një situatë normale, ku qeveria dhe të gjitha instancat e shtetit janë në këmbë për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga virusi.
Ndërkohë, Balla ka kërkuar nga deputetët që të intensifikojnë takimet me bazën në kuadër të zgjedhjeve parlamentare, ku në çdo takim duhet të pasqyrojnë punën e qeverisë dhe faktet se ajo është pranë tyre, sikundër me paketat e ilaçeve për të prekurit nga Covid-19 që do të rimbursohen sapo të merret vendimi nga Këshilli i Ministrave për ata që do të mjekohen në shtëpi, si dhe për rritjet e rrogave për kategoritë që tanimë janë bërë publike dhe që janë vendosur që të bëhen realitet në fillim të vitit tjetër, pasi janë reflektuar në Buxhetin e vitit 2021.
Pra, Balla ka kërkuar që paralelisht me mobilizim e shkrirjes së LSI, deputetët duhet të informojnë qytetarët se sa ka bërë kjo mazhorancë qeverisëse në këto 3 vitet e fundit, nuk janë bërë në 30 vite bashkë qeverisëse të demokratëve dhe LSI-së./Rigels Seliman