Njeriu që udhëheq opozitën shqiptare, Lulzim Basha, është vënë së fundi në shënjestër të akuzave për rol tradhëtor në kauzën kosovare. Aktuakuzat ndaj ish-kupolës së UÇK-së nga Specialja në Hagë, shkuarja e emrave ikonike të luftës atje, duke u përballur me akuzat për krime lufte, ka bërë që të riaktivizohen investigime, pa dyshim me sfond politik e jo thjesht patriotik, rreth së kaluarës kosovare të Bashës, në periudhën e pasluftës.
Eshtë qartësuar herët tashmë që brumi politik i Bashës nuk ka qenë veçse një mpleksje rrethanash kosovare, ku ai është njohur atëbotë me të bijën e ish-kryeministrit Berisha, edhe ajo pjesë e administratës ndërkombëtare në pasluftë, siç dhe emra të tjerë që do ishin më pas pjesë e pushteti të PD-së mbas vitit 2005.
E kritikueshme kjo? Jo, aspak, krejt e natyrshme! Nuk është ky debati. Debati është nëse Basha e përligj të qënurit sot lider opozite, apo dje, si vendimmarrës ministror në disa prej dikastereve kryesore të shtetit.
Sa i përket akuzave ndaj tij, ku feks ajo për zhdukjen e një filmimi për masakrën e Krushës së Madhe, dhënë në mirëbesim nga një shtetas kosovar me emrin Melaim Bellanica, apo se Basha, si përkthyes i një ekipi ndërkombëtar mori pjesë në hetimet apo konkludimet për krime të pretenduara të UÇK-së, ato mundet edhe të jenë të vërteta, të jenë gjysmë të vërteta, apo të jenë kryekreje spekullime.
Çështja është se ajo janë të merituara për Bashën në aspektin e një hakmarrjeje etike.
Basha, pos mangësive të theksuara të talentit politik, të një profili imponues publik, të boshësie kulturore, të një varfërie vizionare, të paaftësisë uluritëse për të thënë gjëra të mençura, si dhe të jo pak dritëhijeve morale, është një vijues dramatik i shkollës akuzatore të PD-së, e cila ka si themelues, e sot e kësaj dite dhe frymëzues, pikërisht Berishën “e pavdekshëm” të saj.
Në ka një reformë që do i duhej PD-së për shpëtuar si forcë prej vitesh në degradim, ajo është reforma etike, e jo pak dhe botëkuptimore, e cila ka të bëjë me ligjërimin publik të lidershipit; një akuzë e gjallë, deri dhe e neveritshme, e kurrë ide, kreativitet, vizion, program.
Jo vetëm Basha, por pothuajse çdo emër në vijën e parë të frontit të PD-së në betejën e saj politike, ofron të njëjtin format ligjërues: akuzë, akuzë, akuzë, pafundësisht akuzë, gjithnjë të formulura keq, të banalizuara, të parazitizuara, ku askush, prej dhjetra emrave, të rinj a të vjetër, nuk ofron pothuajse asnjë elegancë komunikative, me elementë të një etike njerëzore dhe kulture politike, që të josh ta dëgjosh, edhe nëse nuk je dakort politikisht me të. Në krye të kësaj mynxyre qëndron Basha.
E kësisoj, ajo që po ndodh me Bashën, që i janë vërsulur me akuza për të djeshmen okulte në Kosovën e pasluftës, është restoja që ai merr për mënyrën e të zgjedhurit për të bërë politikë: Akuzon pa fre? Atëherë prano të akuzohesh ngjashëm!
Javë më parë, ai do shpallte betejën me kryebashkiakun Veliaj për ta çuar në gjygj mbi akuzat e këtij të fundit për vilat. Ngjante e drejtë sikur të mosekzistonte një fabrikë shurdhuese e akuzave të tij e PD-së ndaj Veliajt.
Pra, etikisht, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në akuzat ndaj Bashës, për shumëçka e jo vetëm të djeshmen kosovare, gjersa dhe ai ka zgjedhur thjesht të akuzojë e jo ideojë, krijojë, ofertojë, reformojë…(Tesheshi)