Tre tribuna thuajse të përfunduara dhe vëmendja e përqendruar në pjesën e tribunës kryesore.
Punimet në “Arenën Kombëtare” vazhdojnë me intensitet të lartë, me impiantin më modern në Shqipëri dhe rajon që dita-ditës po merr formën e tij.
Tribuna karshi është pothuajse drejt përfundimit, sa i takon konstruksionit të betonit dhe atij metalik, me punimet kanë arritur deri në katin e fundit të stadiumit, ku ka mbetur vetëm një pjesë për tu plotësuar.
Në tribunën jugore mbrapa portave është për tu plotësuar vetëm një sektor ku do të jetë kulla e kontrollit, e cila do të ketë lartësinë e impiantit.
Punimet kanë ecur me ritme të larta edhe në tribunën veriore mbrapa portave, ku skelat janë ngritur thuajse deri në fund.
Në disa vende të kësaj tribune, në pjesën e poshtme që do të shërbejë për rrethimin e fushës po testohet vendosja e xhamave, për të krijuar idenë e një ndarje minimale me terrenin e lojës, por edhe për të mos penalizuar shikimin e ulëseve që ndodhen në pozicionet më pranë fushës.
Në qendër të stadiumit, aty ku do të jetë terreni i lojës binte në sy prezenca e një strukture të madhe hekuri me ngjyrë gri.
Bëhet fjalë për platformën që do të shërbejë për mbulimin e stadiumit “Arena Kombëtare”, e cila do të vendoset në vendin e saj sapo të ketë përfunduar ngritja e plot e tribunave.
Impianti me kapacitet 22 mijë vendesh pritet të përfundojë plotësisht gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, ndërsa është sërish një prej kandidatëve për zhvillimin e finales së Superkupës së Europës në vitin 2020.